Një çështje rreth namazit që e kanë në mendje shumë njerëz është: Si duhet të qëndrojmë në namaz (salat)? A duhet të qëndrojmë me këmbët e hapura në atë mënyrë që këmbët tona t’i prekin këmbët e faltorëve pranë nesh? A duhet të qëndrojmë në atë mënyrë që të mos i prekim këmbët e atyre pranë nesh, apo duhet në mes të këmbëve të ketë një distancë prej katër gishtash? Pyetjet e këtij lloji i ngatërrojnë shumë njerëz që dëshirojnë ta zbulojnë mënyrën e drejtë të qëndrimit në namaz sipas sunnetit të Pejgamberit, sal-lallahu alejhi ve sel-lem.
Ky artikull ka për qëllim t’u ofrojë përgjigje këtyre pyetjeve dhe lexuesve t’ju japë një pasqyrë të qartë mbi mënyrën e qëndrimit në namaz që është në përputhje me sunnetin. Në fillim duhet kuptuar se diskutimet e dijetarëve islam rreth kësaj çështjeje janë mjaft të rralla, sidomos kur krahasohen me diskutimet e hollësishme mbi çështje të tjera kyçe të namazit. Prandaj, në shumë libra juridikë mund të gjenden vetëm informacione të kufizuara lidhur me këtë. Në fakt, është mjaft e vështirë të përcaktohet saktësisht qëndrimi i katër imamëve në lidhje me këtë çështje.
Ekzistojnë shumë hadithe për këtë çështje që theksojnë rëndësinë e mbajtjes së reshtave të drejtë në namaz. Këto transmetime zakonisht shoqërohen me paralajmërimin e Pejgamberit, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, për pasojat e safave të shtrembër në namaz. Një prej këtyre transmetimeve thotë:
“Drejtoni safat, përndryshe All-llahu do të sjellë përçarje në mesin tuaj!” (Sunen Ebu Davud 1:97)
Gjithashtu, transmetohen edhe hadithe të tjera që përmbajnë vërejtje të ngjashme. Kur namazliu i sheh disa njerëz duke i hapur këmbët tej mase dhe duke i bashkuar shputat me shputat e vëllait pranë tyre, ai natyrshëm pyet veten se prej nga ka ardhur një mënyrë e tillë e faljes. Mbështetësit e këtij mendimi sjellin një hadith në të cilin përmendet se sahabët i afronin shputat në namaz, pasi i Dërguari i All-llahut, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, i kishte porositur që t’i drejtonin reshtat. Mirëpo ky hadith, edhe pse shpesh citohet si argument, në asnjë mënyrë nuk e bën bashkimin e shputave detyrim (vaxhib), siç pretendojnë pjestëtarët e vehabizmit.
Nl vijim të këtij kapitulli do ta sqarojmë këtë çështje, duke filluar me një shqyrtim të mendimeve të ndryshme rreth qëndrimit të shputave në namaz. Më pas, hadithi i përmendur do të analizohet në mënyrë të pavarur dhe të hollësishme, me qëllim që të sqarohet kuptimi i tij i vërtetë dhe rregullat praktive që mund të nxirren nga ai hadith.
Drejtimi i reshtave, qoftë duke prekur shputat e njëri-tjetrit apo jo, pa dyshim paraqet një element shumë të rëndësishëm të namazit me xhemat. Po ashtu, është detyrë e imam-it të sigurohet që reshtat të jenë të drejtuara siç duhet para se të fillojë namazi. Edhe pse, teknikisht duke folur, drejtimi i safave nuk konsiderohet kusht thelbësor i vlefshmërisë së namazit, ai megjithatë është një pjesë shumë e rëndësishme e sunnetit, për shkak të urdhrave të qarta dhe të rrepta të të Dërguarit të All-llahut, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, lidhur me këtë çështje.
MENDIME TË NDRYSHME
Do ta fillojmë duke paraqitur disa prej mendimeve të shkollës juridike hanefite lidhur me çështjen e pozicionimit të shputave të këmbëve në namaz. Mendimi i parë thotë se gjatë namazit duhet të ketë një hapësirë prej katër gishtash ndërmjet shputave të namazliut. Ky mendim gjendet në komentin autoritativ të imam Ibën Abidinit në veprën e Alama Haskafisë, Ed-Durr el-Muhtar, ku ai thotë:
“Hapësira ndërmjet shputave të namazliut duhet të jetë sa katër gishta të dorës, sepse një distancë e tillë është shumë efikase për rregullsinë dhe përulësinë që kërkohet në namaz.” (Radd el-Muhtar, 1:299)
Juristët (fukahatë) e kanë përshkruar lënien e një hapësire prej katër gishtash si metodën më të përshtatshme, sepse qëndrimi me këmbë shumë të hapura për një kohë të gjatë shpesh bëhet i pakëndshëm. Kjo jorehati e vështirëson përqendrimin dhe shpesh shpie në humbjen e përkushtimit (hushusë) në namaz.
Metoda e dytë sipas shkollës hanefite mund të kuptohet nga sa vijon. Në veprën Ma‘rif el-Sunen, komentim i Sunenit të Tirmidhiut nga dijetari i vonshëm i hadithit, Imam Jusuf Bin Nuri, thuhet se nuk ka transmetime autentike që të përcaktojnë një distancë të caktuar ndërmjet shputave të namazliut gjatë namazit. Për këtë arsye, mund të përfundohet se mënyra sunnet e pozicionimit të shputave në namaz është aq sa namazliu e sheh të arsyeshme dhe të rehatshme për veten. (Ma‘rif el-Sunen, 2:298)
Në veprën Sunen en-Nesa’i transmetohet hadithi ku thuhet se ‘Abdullah ibën Mes’udi, r.a., pa një namazli duke qëndruar në namaz me shputat e bashkuara (pra, shputat e tij prekeshin mes vete), dhe gjykoi se një qëndrim i tillë nuk është në përputhje me sunnetin. Ai e këshilloi namazliun se është më e përshtatshme ta praktikojë muravahën. (Sunen en-Nesa’i, 1:142)
Fjala arabe murâvaha, zakonisht nënkupton qëndrimin herë mbi njërën shputë e herë mbi tjetrën, duke i ndërruar shputat kur njëra lodhet. Megjithatë, një kuptim tjetër i fjalës murâvaha është “të lihet një hapësirë e vogël ndërmjet shputave”, dhe ky duket të jetë kuptimi më i përshtatshëm në këtë transmetim, pasi namazliu që u pa nga Ibën Mes’udi, r.a., qëndronte me shputat plotësisht të bashkuara.
Nëse e marrim kuptimin e dytë të fjalës murâvaha, atëherë hadithi nënkupton se ‘Abdullah ibën Mes’udi, r.a., e urdhëroi namazliun të linte një hapësirë të vogël ndërmjet shputave të tij, sepse sunneti nuk është që shputat të bashkohen krejtësisht (e as të hapen tepër).
Nga e lartëshënuara mund ta vërejmë fleksibilitetin e shkollës hanefite në lidhje me këtë çështje. Prandaj, namazliut i lejohet të qëndrojë në namaz me një hapësirë ndërmjet shputave të tij të barabartë ose pak më të madhe se katër gishta.
Mendimin i shkollës jurudike shafiite lidhur me këtë çështje, tregon se mendimi më i përhapur është që namazliu hapësirën ndërmjet shputave të tij duhet ta ketë sa gjerësia e një shuplake. (Nihajetul-Muhtaxh, 1:347)
Megjithatë, në veprën El-Envar, një tjetër libër i fikhut shafiit, rekomandohet që hapësira të jetë vetëm katër gishta — ashtu sië është qëndrimi i shkollës hanefite.
Për më tepër, dijetari i madh shafiit, imam Neveviu, thotë se:
“Është e papëlqyeshme (mekruh) që shputat të bashkohen; më e pëlqyeshme (mustehab) është të mbahet njëfarë hapësire ndërmjet shputave të këmbës.” (Sherh el-Muhezzeb, 3:266)
Përmbledhje, kemi tre mendime të ndryshme të shkollës juridike shafiite lidhur me këtë çështje: (1) hapësira ndërmjet shputave sa gjerësia e një dore; (2) hapësirë prej katër gishtash; dhe (3) hapësirë sipas vlerësimit personal të namazliut, aq sa ai e sheh të nevojshme.
Mendimi i parë është specifik për shkollën shafiite, ndërsa dy mendimet e tjera janë të përbashkëta si për shafiitët ashtu edhe për hanefitët. Deri tani, mund të jetë vërejtur se nuk ekziston asnjë mendim që përmend takimin e shputave me shputat e personit pranë. Sikur kjo të ishte me të vërtetë mënyra e saktë dhe sunnetike e qëndrimit në namaz, ajo pa dyshim do të ishte pranuar si e tillë.
HADITHI RRETH PREJKES TË SHPUTAVE
Në veprën Sunen Ebu Davud përmendet hadithI i cili tregon se sahabët i afronin shputat me njëri‑tjetrin për t’i formuar reshtat drejtë. Ebu’l‑Kasim el‑Xhudejli transmeton:
“E kam dëgjuar Nu‘man ibn Beshirin, r.a., duke thënë se i Dërguari i All-llahut, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, u kthye nga xhemati dhe tha: ‘Drejtoni reshtat (safët)! Për hir të All-llahut, drejtoni reshtat, përndryshe All-llahu do të sjellë përçarje në zemrat tuaja!’ Nu‘man ibn Beshiri pastaj tha: ‘Kam parë çdo namazli duke e prekur supin me atë të personit pranë tij, si edhe gjunjët dhe kyçet me atë pranë tij.’” (Sunen Ebu Davud, 1:104)
Ky është një nga hadithet që përdoret si argument nga ata që e kanë mendimin se çdo namazli duhet t’i bashkojë shputat me shputat e personit pranë tij gjatë namazit në xhemat. Disa prej tyre shkojnë aq larg në këtë çështje, saqë nëse personi pranë tyre e lëviz shputën, ata menjëherë e lëvizin këmbën e tyre për të ruajtur kontaktin e shputave. Ata vazhdimisht i kritikojnë ata që nuk i hapin këmbët gjerë, sepse sipas tyre, vetëm kjo mënyrë është metodë sunnetike të cilës ata i përmbahen.
Megjithatë, përpjekjet e tyre janë të kota në përdorimin e hadithit të lartpërmendur dhe haditheve të ngjashme për të argumentuar se bashkimi i shputave në namaz është i domosdoshëm (vaxhib). Kjo ndodh kështu për disa arsye të thjeshta:
Fjalët që e përshkruajnë takimin e shputave, në të vërtetë, nuk janë fjalët e të Dërguarit të Allahut, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, por fjalët e transmetuesit të hadithit. Prandaj, kjo pjesë e hadithit nuk është e thënë drejtpërdrejt nga vetë Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ve sel-lem (merfû‘), por është përshkrim i transmetuesit mbi mënyrën se si reaguan sahabët ndaj urdhrit të Pejgamberit, sal-lallahu alejhi ve sel-lem.
Në fakt, ky mendim nuk gjendet në shumicën e transmetimeve që flasin për drejtimin e reshtave. Kështu, bëhet mjaft e qartë se Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, nuk e ka urdhëruar prekjen e shputave, por vetëm drejtimin e reshtave.
Hadithi i Nu‘man ibn Beshirit, r.a., na tregon vetëm për sjelljen e sahabëve para fillimit të namazit. Me fjalë të tjera, sjellja e vërejtur e sahabëve ishte afrimi i kyçeve, gjunjëve dhe supëve para se të niste namazi. Askund në hadith nuk tregohet se një qëndrim i tillë është mbajtur gjatë vetë namazit.
Edhe nëse, për hir të argumentit, pranojmë se bashkimi i shputave është mbajtur gjatë namazit, atëherë detyrimisht parashtrohen disa pyetje të rëndësishme. Një prej tyre është: a duhet që shputat të jenë të bashkuara në çdo pozicion të namazit, apo vetëm gjatë qëndrimit në këmbë (kijam)? Nëse përgjigjja është se ato duhet të bashkohen vetëm gjatë kijamit, atëherë lind pyetja tjetër: cili është argumenti për këtë, dhe pse kjo të kufizohet vetëm në kijam, e jo edhe në qëndrimet e tjera të namazit?
Nëse përgjigjja është se shputat duhet të mbeten të bashkuara gjatë gjithë namazit, atëherë shtrohet pyetja: si do të mund ta ruanin njerëzit në saf bashkimin e shputave dhe supëve gjatë sexhdes apo gjatë uljes? Është e qartë se një gjë e tillë është e pamundur të realizohet.
Për më tepër, nëse kundër‑argumenti është se shputat duhet të bashkohen vetëm gjatë qëndrimit në këmbë / kijamit, sepse në qëndrimet e tjera kjo është e vështirë, atëherë përgjigjja është se edhe gjatë vetë kijamit është shumë e vështirë për njerëzit të ruajnë një rreshtim të tillë të ngushtë të shputave mes tyre.
Në bazë të hadithit të sipërshënuar, nëse bashkimi i supëve dhe shputave do të konsiderohej i domosdoshëm, atëherë përse gjunjët janë lënë jashtë këtij rregulli? Në transmetimin e përmendur nga Sunen Ebu Davud, sahabët i afronin edhe gjunjët. Sipas kësaj, edhe bashkimi i gjunjëve do të duhej të konsiderohej i detyrueshëm gjatë namazit.
Duhet theksuar se qëndrimi me gjunjë të bashkuar me personin pranë, madje edhe për një kohë të shkurtër, mund të jetë i pamundshëm dhe shumë i dhimbshëm. Madje, në disa raste është krejtësisht e pamundur, sidomos kur ekziston një dallim i madh në gjatësi mes dy namazlinjve që qëndrojnë pranë njëri‑tjetrit.
Një tjetër transmetim të këtij hadithi, i përmendur nga disa dijetarë, thuhet se transmetuesi Nu‘man ibn Beshiri, r.a., ka pasur për qëllim vetëm të tregojë se sahabët përpiqeshin të formonin safet jashtëzakonisht të drejtë, sipas udhëzimit të Pejgamberit, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, dhe jo se ata realisht i bashkonin shputat, supet dhe kyçet mes tyre.
Pikërisht për këtë arsye, titulli i këtij kapitulli në Sahih el‑Buhari, “Kapitulli mbi bashkimin e supëve dhe shputave gjatë formimit të safave”, është cilësuar si një teprim (mubalaga) nga hafiz Ibën Haxheri. Në komentin e tij Feth el‑Bari, ai shkruan se arsyeja pse imam Buhariu e zgjodhi këtë titull ishte për ta theksuar fuqishëm rëndësinë e drejtimit të safave dhe mbushjes së hapësirave ndërmjet tyre. (Feth el‑Bari, 2:247)
Nga kjo mund të përfundohet se transmetimi i përmendur nuk është kuptuar në mënyrë fjalë‑për‑fjalë. Edhe imam Shevkani — të cilit shpesh i referohen ata që nuk ndjekin asnjë shkollë juridike në Islam — nuk e interpreton këtë hadith në mënyrë të drejtpërdrejtë. Në veprën e tij Nejlul‑Evtar ai shkruan: “Kjo thënie nënkupton: vendosi pjesët e trupit (supet etj.) në një vijë me njëra‑tjetrën, në mënyrë që supi i çdo namazliu të jetë në një rresht me supin e namazliut pranë tij. Në këtë mënyrë, supi, gjuri dhe shputa e secilit do të jenë në një vijë të drejtë.” (Nejlul‑Evtar, 3:65)
Me fjalë të thjeshta, ai e potencon se arsyeja e vërtetë e afrimit të supëve dhe pjesëve të tjera të trupit ishte drejtimi i reshtave, e jo sepse vetë bashkimi i tyre ishte një veprim i detyrueshëm.
Enesi, r.a., ka theksuar gjithashtu — në një transmetim nga Ma‘mari, të cilin Ibën Haxheri e ka shënuar në veprën e tij Feth el‑Bari — se nëse ai do të përpiqej t’i bashkonte supet dhe shputat me dikë, ai person do të largohej me shpejtësi “si një mushkë”. (Feth el‑Bari, 2:247)
Nga pohimi i Enesit, r.a., është e qartë se as sahabët nuk u falën me bashkimin e supëve dhe shputave pas vdekjes së Pejgamberit, sal-lallahu alejhi ve sel-lem. Sikur kjo të kishte qenë një praktikë e vazhdueshme e Pejgamberit, sal-lallahu alejhi ve sel-lem (sunnet mustemir), sahabët kurrë nuk do ta kishin braktisur — e aq më pak në një mënyrë kaq të dukshme.
Pasi është vërtetuar se arsyeja kryesore e afrimit të shputave ka qenë arritja e një rreshtimi të përkryer të safeve, bëhet lehtë e kuptueshme se ky bashkim i shputave nuk është i domosdoshëm. Kjo sepse në shumicën e xhamive dhe vendeve të faljes, vijat janë të shënuara qartë — në qilima, në gurë apo në mbulesat e dyshemesë. Duke qëndruar me thembrat mbi këto vija të shënuara, besimtarët automatikisht i formojnë safet e drejtë.
Çështje të tjera që duhen marrë parasysh
Një çështje e rëndësishme për t’u përmendur është se shumë prej atyre që pretendojnë se shputat duhet të jenë të bashkuara, në praktikë i hapin ato edhe gjatë namazit individual — madje shpeshherë i hapin më shumë se gjerësia e shpatullave. Edhe nëse bashkimi i shputave në namazin me xhemat do të konsiderohej i domosdoshëm, kjo nuk do të nënkuptonte se shputat duhet të hapen më shumë se gjerësia e shpatullave.
Arsyeja është se, nëse trupat e njerëzve qëndrojnë sup më sup dhe shputat bashkohen, hapësira ndërmjet shputave do të ishte vetëm sa gjerësia e shpatullave. Do të ishte pothuajse e pamundur t’i hapje ato më shumë dhe njëkohësisht të ruaje kontaktin e supëve.
Një arsye tjetër pse nuk duhet hapur tepër shputat gjatë namazit individual është se hadithi i përmendur sipërshënuar i përshkruan sahabët duke i afruar shputat vetëm gjatë namazit me xhemat. Prandaj, ky hadith nuk mund të përdoret si argument për hapjen e gjerë të shputave gjatë namazit individual (salat).
PËRFUNDIM
Në fund, pa asnjë hezitim, mund të përfundojmë se ata që këmbëngulin në bashkimin e shputave nuk e kanë kuptuar drejt kuptimin e hadithit, dhe si të tillë nuk kanë asnjë argument të fortë që ta mbështesë këtë qëndrim. Është e pamundur të ndiqen gjithmonë Kur’ani dhe hadithet duke u mbështetur vetëm në përkthimin fjalë‑për‑fjalë — metodë që përdorin literalistët, mendimet e të cilëve nuk janë pranuar nga shumica e dijetarëve. Pasojat e ndjekjes së kësaj metodologjie janë mjaft të dukshme.
Vërtet, është e rëndësishme të krijohet unitet në namaz, por kjo arrihet në mënyrë të rregullt duke i bashkuar supet (siç urdhërohet në hadith) dhe duke qëndruar me thembra mbi vijat e shënuara. Është praktikisht e pamundur të mbushen të gjitha hapësirat, ashtu siç disa njerëz këmbëngulin. A është vërtet kaq e vështirë të kuptohet se kur dikush përpiqet të mbushë hapësirën mes shputës së tij dhe asaj të personit pranë, ai në fakt krijon një hapësirë më të madhe ndërmjet shputave të veta?!
Prandaj, sunnet është të lihet një hapësirë rreth katër gishtash ndërmjet shputave të këmbëve, ose çfarëdo distance përmes së cilës namazliu mund të qëndrojë në mënyrë të rehatshme dhe me përulësi në namaz. Gjatë namazit me xhemat, çdo namazli duhet të sigurojë që të jetë mjaft afër personit pranë tij, aq sa supet të preken, dhe që shputat e tij të jenë mbi vijën e shënuar, në mënyrë që i gjithë xhemati të jetë i rregullt dhe i përbërë nga safet e drejtë.
Burimi: Çelësat e argumenteve të fikhut hanefi (Fikh al‑Imam), Abdur‑Rahman Ibën Jusuf
Përshtati: L.M.