O Zot, na dhuro urtësi dhe na bashko me robërit e Tu të mirë dhe të ndershëm!
Do ta kujtojmë një fjalë që besimtarët e mësojnë që në fëmijëri, një fjalë që e dëgjojmë në ligjërata, në mejtepe dhe në hutbe. Një fjalë me të cilën fillon Shpallja, e të cilën — të jemi të sinqertë — më së shpeshti e përkthejmë sipërfaqësisht, pa kuptimin e saj të thellë. Fjalë është: IKRA’, që më së shpeshti e përkthejmë: “Lexo, mëso”.
Por, shtrohet pyetja: “Pse All-llahu i Lartëmadhëruar fjalën e parë të Shpalljes e filloi me një urdhër që i Dërguari i All-llahut, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, në atë moment nuk mund ta zbatonte? Pse fjala e parë Hyjnore do të ishte thirrje për të ‘lexuar’, nëse bëhet fjalë për lexim letre dhe shkronjash, kur i Dërguari i All-llahut, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, i tha engjëllit: ‘Unë nuk di të lexoj’, ose, më saktë, ‘Unë nuk jam lexues.’”.
All-llahu i Lartëmadhëruar thotë: “Ti (Muhammed) nuk ishe që lexon ndonjë libër para këtij, e as që e shkruajshe atë me dorën tënde të djathtë, pse atëherë do të dyshonin ata të prishurit.” [El-Ankebut, 48]
Prandaj fjala Ikra’ nuk mund të nënkuptojë vetëm: “Lexo shkronjat.” Ndaj kuptimi më i mirë do të ishte ky: “Nuk je ti ai që do të lexosh. All-llahu i Lartëmadhëruar do të bëjë që ti të lexosh.”
Vërtetimi i kësaj vjen në ajetin e 5 të kaptinës el-Alek: “Ai që e mësoi (njeriun) të shkruajë me pendë.”
Nga e sipërshënuara, mund të përfundojmë se fjala IKRA’ nënkupton URDHËR QË NUK I DREJTOHET SYVE, POR ZEMRËS, pra All-llahu i Lartëmadhëruar nuk ia dërgoi Shpalljen letrave, por zemrave.
Në Futuhate qëndron: “Zemra e Pejgamberit u bë Mus’hafi i parë në të cilën shkruhet Fjala.”
Fjala IKRA’ nuk është vetëm thirrje për alfabetizim [aftësi për të lexuar e shkruar], apo lexim letrash, librash apo shkronjash. Ajo paraqet thirrje për zgjim, për hapjen e zemrës ndaj Fjalës Hyjnore, për leximin e shenjave dhe të vërtetave që janë brenda nesh, për leximin e shenjave në botë – në kozmos…
Shejhul Ekber, Ibën Arabiu, kaddesallahu sirreh, ka thënë: “Urdhri i parë për njeriun ishte lexim pa shkronja. Lexim i së vërtetës, jo i formës.”
Kjo paraqet leximin e shenjave në kozmos, në shpirtin e njeriut, leximin e ndodhive, fatit dhe kohës…
All-llahu i Madhëruar thotë: “Ne do t’ua bëjmë atyre të mundshme që t’i shohin argumentet Tona në horizonte dhe në veten e tyre deri që t’u bëhet e qartë se ai (Kur’ani) është i vërtetë. A nuk mjafton që Zoti yt është dëshmitar për çdo gjë? [Fussilet, 53]
Prandaj fjala IKRA’ do të thotë: njih, dallo, zbuloje kuptimin, shikoje thelbin, lexoje realitetin…
All-llahu i Madhëruar e fillon Shpalljen me fjalët: “Lexo me emrin e Rabbit tënd, i cili krijoi (çdo gjë).” [El-Alek, 1]
Ajeti nuk filloi me fjalët: “Ikre’ bismiI-lahik – Lexo me emrin e Zotit tënd” apo “Ikre’ bismi Melikik – Lexo me emrin e Sunduesit tënd.” Por, Shpalljen e filloi me fjalët, Rabbik – Edukuesi yt.
Rabb do të thotë: Ai që të krijon, Ai që të përgatit, Ai që të pastron, Ai që të udhëzon, Ai që ta mundëson pranimin e dijes, Ai që të formëson përmes dhimbjes, sprovave, humbjeve dhe gëzimeve, Ai që të bën enë për dritën, e kështu me radhë.
Prandaj ajeti i parë nuk paraqet vetëm urdhër fetar. Ai është përshkrues i rrugës njerëzore. Sepse dija e parë që All-llahu i Madhëruar ia jep njeriut, nuk është informacion. Dija e parë paraqet edukim. Mësimi i parë nuk është të nxënit — por pastrimi. Hapi i parë nuk është alfabetizimi, por përulësia. Dhurata e parë nuk është libri — por zemra që do të jetë e aftë ta pranojë atë.
Mevlana Xhelaluddin Rumi, kadesellahu sirreh, ka thënë: “Dija pa edukimin e Rabb-it është helm. Dija me emrin e Rabb-it është ilaç.”
All-llahu i Madhëruar thotë: “Krijoi njeriun prej një gjaku të ngjizur (në mitrën e nënës).” [El-Alek, 2]
Cila do të ishte urtësia që pikërisht ajo prej së cilës jemi krijuar të përmendet në çastin e Shpalljes?
Ibën Ata’ilahu thotë: “Që të mos mendosh se dija është meritë e jotja. Sepse ti ishe asgjë. E Ai të dha gjithçka.”
Rumi gjithashtu thekson: “Ai të krijoi nga një mpiksje e zezë, që të mos bëhesh mendjemadh kur ta pranosh dritën.”
Mesazhi është i qartë: Përulësia është dera e dijes. Kush bëhet mendjemadh – i mbyllet Ikre’-ja. Ndërsa përulësisë – i hapen dyert.
Rumiu potencon: “Dija nga nefsi bën faraon. Dija nga Rabbi bën njeri.”
Para se i Dërguari i All-llahut, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, të bëhej “mësues”, All-llahu i Madhëruar e kishte edukuar: me varfëri, me humbjen e prindërve, me përjetimin e ditëve si bari, me qetësinë e shpellës Hira, me vetminë larg nga idhujt, me vetminë e vëzhgimit të botës. Dija vjen vetëm atëherë kur edukimi e arrinë pjekurinë.
Përshtati: L.M.