Imami më i madh, Nu’man ibën Thabit ebu Hanife, All-llahu qoftë i kënaqur me të

Ajo që armiqtë e medhhebeve të Ehli sunnetit do t’ua fshehin është fakti se imam Ebu Hanife, radijallahu anhu, ishte dijetar nga rendi i tabi’inëve, brezi i dytë i muslimanëve. Dijet i merrte drejtpërdrejt nga burimi, nga as’habët dhe tabi’inët, All-llahu qoftë i kënaqur me ata. Nga katër imamët e mëdhenj, ai është më i vjetri dhe i vetmi që pati mundësinë t’i shihte as’habët duke u falur, ashtu siç edhe ata e shihnin atë duke u falur ai! Kështu që, namazi sipas shkollës juridike Hanefite është i vetmi i vërtetuar nga as’habët. Pa e zvogëluar rëndësinë dhe ixh’tihadin e imamëve të tjerë, All-llahu i mëshiroftë. (Ertan Ç.)

Ai njihet edhe me nofkën Imami më i madh – Imam-i-E’azam, por më shpesh përdoret emri i tij Ebu Hanife. Ndërsa emri i tij i vërtetë ishte Nu’man ibën Thabit. Lindi në qytetin e Kufës (në Irakun e sotëm) në vitin 80 Hixhri (689 Miladi). Lindi në një familje tregtarësh. Familja e Imamit ishte me origjinë persiane dhe e lidhte prejardhjen e saj me shokun e Profetit të nderuar, s.a.v.s., Selman El-Farisiun, r.a.

Babai i Imam Ebu Hanifes e takoi Imam Ali ibën Ebi Talibin, r.a. në Kufë, i cili bëri dua për të dhe familjen e tij, dhe disa thonë se rezultati i kësaj duaje është Ebu Hanifeja. Një hadith i transmetuar nga Buhariu dhe Muslimi thotë se Ebu Hurejre transmeton se i Dërguari i All-llahut, s.a.v.s., tha: “Sikur feja të bjerë vetëm mbi shtatë vetë, atëherë do të pranohej një person që është nga Persia, ose nga pasardhësit persianë.” Imam Sujutiu, dijetari Shafii, rahmetullahi alejhi, komentoi: “Thuhej, dhe për këtë pajtoheshin të gjithë, se ky hadith i referohet Imam Ebu Hanifes.”

Në kohën e lindjes së Imamit, Kufa ishte qendër e madhe e shkencës dhe dijes. Aty u vendosën një numër i madh shokësh të nderuar të Profetit, s.a.v.s.. Për shkak të pranisë së këtyre njerëzve të respektuar që nxitën aq shumë interes për Hadithin dhe Rivajetin, praktikisht çdo shtëpi në Kufë u bë qendër për këta dijetarë dhe disiplinat e tyre.

Në fillim, Imam Ebu Hanife nuk merrej me shkencë. Megjithatë, rastësisht, një ditë ndërsa po kalonte pranë shtëpisë së Sha’biut (një “Dijetar i Madh” i njohur midis tabi’inëve), Shejhu e ftoi brenda Ebu Hanifen, i cili e mori si student. “Ku po shkon, djalosh?” – e pyeti Sha’biu. Ebu Hanife i tregoi emrin e tregtarit që do të vizitonte. “Doja të pyesja,” – tha Sha’biu, “në orët e kujt po merr pjesë?” “Në të askujt,” – iu përgjigj Imami me keqardhje. “Unë shoh shenja inteligjence te ti,” – filloi Sha’biu, “duhet të ulesh në shoqërinë e njerëzve të ditur.” Pas këtij takimi, Imami i ri filloi kërkimin e tij për dituri.

Imam Ebu Hanife e mori diturinë nga mbi katër mijë njerëz. Ndër mësuesit e tij ishin njerëzit më të shquar të asaj kohe, me një sened (transmetim) që lidhej me shumë as’habë, r.a. Ai ishte i bekuar që të takohej me disa nga as’habët si: Enes ibën Malikun, Abdullah ibën Aufin dhe Sehl ibën Sa’adin, r.a., gjë që e bëri të renditej në mesin e tabi’inëve (pasardhësit e as’habëve).

Imami Ebu Hanife e mori diturinë nga Hammad ibën Sulejmani. U bashkua me hallkën (rrethin) e tij kur ishte 22 vjeç, dhe tashmë ishte i njohur në debate. Ai studioi me këtë shejh deri në vdekjen e tij, dhe në moshën dyzet vjeçare e mori përsipër hallkën e tij.

Shu’be, një muhaddith i shquar i cili i dinte përmendësh dy mijë hadithe, ishte gjithashtu mësues i Ebu Hanifes. Shu’be ishte shumë i dhënë dhe e simpatizonte Ebu Hanifen, duke thënë njëherë: “Ashtu siç e di që dielli është i shndritshëm, e di që dituria dhe Ebu Hanife janë dy kopje të njëri-tjetrit.”

Kërkimi i diturisë e çoi pashmangshmërisht në Qendrat e Shenjta, në kohën kur Meka ishte qendra e dijes. Aty, disa autoritete të njohura të Hadithit, të cilët ishin takuar me shokët e Profetit, s.a.v.s., i kishin themeluar shkollat e tyre. Mes tyre ishte edhe shkolla e ‘Ata’a ibën Rebbahut. ‘Ata ishte një tabi’in i njohur, i cili shoqërohej me shumicën e as’habëve dhe nga ky shoqërim fitoi një shkallë të jashtëzakonshme autoriteti. Ai vetë pohonte se ishte takuar me dyqind njerëz që e kishin shoqëruar Profetin e Nderuar, s.a.v.s.. Të gjithë as’habët e respektuar e konfirmuan dijen e tij. Abdullah ibën Omeri, r.a., djali i kalifit Omer, thoshte: “Pse vijnë njerëzit tek unë kur kanë ‘Ata’a bin Rebbahun që të shkojnë tek ai?”

Nga muhaddithët e tjerë të Mekës, orët e të cilëve i ndiqte Imami, ishte ‘Ikrimeja. Ai ishte rob dhe nxënës i Abdullah ibën Abbasit, i cili e edukoi me kujdes dhe vëmendje të madhe, duke e bërë aq të aftë saqë ai, gjatë jetës së tij, i dha Imam Ebu Hanifes leje (ixhaze) për të dhënë vendime personale (fetva) dhe përcaktime. Imam Ebu Hanife ishte i pari që e analizoi jurisprudencën islame, e ndau atë në fusha, i sqaroi çështjet e saj dhe përcaktoi standarde e kritere për arsyetimin analitik (kijas).

El-Hafiz el-Kebir Ebu Bekr Ahmed el-Harizmi në librin e tij shkroi (Musned), ndërsa Sejf el-Eimme transmeton se kur Imam Ebu Hanife nxirrte një fetva nga Kur’ani dhe Hadithi, ai nuk i jepte fetva pyetësit derisa të gjithë studentët e tij ta konfirmonin atë.

Mijëra studentë të Ebu Hanifes i ndiqnin orët e tij kur ai ligjëronte në xhaminë e qytetit të Kufes. Dyzet prej tyre ishin muxhtehidë. Kur ai gjente përgjigje për ndonjë çështje, i këshillonte studentët e tij, të cilët e studionin atë së bashku, dhe kur ata arrinin një marrëveshje se ishte në përputhje me Kur’anin, Hadithin dhe fjalët e as’habëve, ai gëzohej duke thënë: “Falënderimi i takon All-llahut, All-llahu është më i Madhi!”, dhe të gjithë të pranishmit përsërisnin fjalët e tij. Pastaj u thoshte ta shkruanin. Ibn ‘Abdu-l-Berr në veprën El-Intika përmend se Abdullah ibën Ahmed ed-Davraki tha: “Ai është një transmetues i besueshëm (sukah), nuk kam dëgjuar kurrë dikë që ta ketë kontestuar apo vënë në dyshim. Kështu, Shu’be i shkruante (për hadithe) dhe i urdhëroi ta transmetojnë hadithin.”

Ibn Haxheri tha në pjesën për Harixh ibën Es-Saltin, në veprën e tij Tehxhibu-t-tehdhib, se Ibën Hejtheme tha: “Nëse Esh-Shu’be transmeton nga dikush dhe e emëron atë, ai njeri është i besueshëm (sikah) dhe transmetimi i tij merret si dëshmi (juhtexhxhu bi hadithihi).”

Shumë dijetarë të njohur transmetuan nga Imam Ebu Hanifeja. Do t’i përmendim vetëm disa: Eth-Thevriu, Ibnu-l-Mubareku, Hammad ibën Zejdi dhe Abdu-r-Rezzaku (një nga dijetarët e Buhariut). El-Midhdhi në veprën e tij Tehxhibu-l-Kemal përmend rreth njëqind emra të atyre që transmetuan nga Imam Ebu Hanifeja. Është regjistruar se Imam Shafiu, r.a., tha: “Të gjithë dijetarët (njerëzit) e fikhut janë fëmijët e Ebu Hanifes.” “Unë nuk do të kisha fituar asnjë dituri nëse nuk do të ishte mësuesi im. Të gjithë njerëzit e ditur janë fëmijët e dijetarëve të Irakut, të cilët ishin studentë të dijetarëve të Kufës, dhe ata ishin nxënës të Ebu Hanifes.”

Medhhebi Hanefi, i emërtuar sipas Imamit, u përhap gjerësisht gjatë sundimit të Shtetit Osman. Sot, më shumë se gjysma e muslimanëve në Tokë i kryejnë ritet e tyre fetare sipas medhhebit Hanefi. Shkolla Hanefite ka zgjidhur çështje gjyqësore në shumicën e vendeve islame gjatë një pjese të madhe të historisë islame, duke i përfshirë periudhat e Shtetit Abasid dhe Osman. Nuk duhet admiruar vetëm mendjen dhe dijen e jashtëzakonshme të Imam Ebu Hanifes, por edhe karakteri dhe devotshmëria e tij shembullore.

Dhehebiu thotë: “Raportet për devotshmërinë dhe përkushtimin e tij kanë e arritur gradën e tevaturit” (një zinxhir i pandërprerë transmetimesh). Për shkak të kijamit (qëndrimit në namaz) të tij të përhershëm, ai u quajt “Varëse” ose “Shtylla”. Ai shpesh e recitonte të gjithë Kur’anin gjatë namazit të natës. Ai e kryente namazin e sabahut me abdesin e jacisë për dyzet vjet (sepse falej gjatë gjithë natës).

Transmetohet se ai e ka lexuar të gjithë Kur’anin shtatë mijë herë në vendin ku ndërroi jetë. Ai e fitonte jetesën me tregti, duke dërguar mallra në vende të tjera, dhe me fitimin e tyre i mbështeste nxënësit e tij. Ai jepte shumë për bamirësi dhe çdo të premte ndante njëzet monedha ari për të varfërit në emër të shpirtrave të prindërve të tij.

Në vitin 146 Hixhri, Ebu Hanife u burgos nga Mensuri, sundimtari i asaj kohe, pasi Imami refuzoi të thoshte se Mensuri ishte një Kalif i drejtë, si dhe e refuzoi postin e kryetarit të Gjykatës Supreme. Gjatë kohës sa ishte në burg, Imam Ebu Hanife u rrah me shkop. Mensuri u pendua dhe i dërgoi Imamit para, por përsëri u refuzua nga Ebu Hanifeja.

Deri në atë kohë, Ebu Hanifeja ishte bërë shumë i njohur dhe mijëra njerëz mblidheshin për ta takuar dhe për ta kërkuar mendimin e tij kudo që shkonte. Burgimi i tij nuk ia zvogëloi popullaritetin, dhe Mensuri e kuptoi se duhej të sillej me kujdes ndaj Imamit, kështu që e lejoi të jepte mësim edhe pse ishte në robëri.

Sundimtari Mensur më në fund vendosi ta heqë qafe Imamin e madh dhe urdhëroi që ta helmonin. Ebu Hanife, i ndjeu efektet e helmimit, gjatë namazit u rrëzua dhe vdiq në muajin Rexheb. Lajmi për vdekjen e Imamit u përhap gjerësisht dhe mijëra njerëz u mblodhën para burgut. Kadiu i qytetit e lau atë dhe gjatë gjithë kohës përsëriste: “Për All-llahun, ti ishe fakihu më i madh dhe njeriu më i devotshëm i kohës sonë…” Kur e përfunduan larjen, u mblodhën aq shumë njerëz saqë pesëdhjetë mijë prej tyre morën pjesë në varrimin e tij. Imami i madh vdiq në Bagdad në vitin 150 Hixhri në moshën shtatëdhjetë vjeçare.

All-llahu qoftë i kënaqur me të. Amin.

Autor: Mirned Kovač
Përshtati: Lutfi Muaremi