Ndërmjet Krijuesit dhe njerëzimit është besimi që mbështetet në diturinë e dhuruar nga Fisniku (El-Ekrem), ushqehet me të dhe kjo dituri i mundëson atij t’i përgjigjet thirrjes së Tij dhe t’i drejtohet Atij. Ajetet e para vendosin një korrespondencë të drejtpërdrejtë me atë që Shpallja më vonë do të përmendet rreth krijimit të njerëzimit: “All-llahu ia mësoi Ademit emrat e çdo gjëje…!” [Kur’an, 31]
Arsyeja, inteligjenca, gjuha dhe shkrimi, njerëzimit ia dhanë cilësinë e nevojshme për të qenë kalifë (mëkëmbës) të Zotit në tokë dhe, që nga fillimi, shpallja kur’anore e lidh me njohjen e Krijuesit, me diturinë dhe shkencën, duke reflektuar kështu për vetë origjinën e krijimit. “Unë do të krijoj një mëkëmbës (që do të zbatojë ligjet e Zotit) në tokë” [Kur’an, 2:30]
Mësime të shumta na tregojnë për ajetet nga fillimi i sures “El-Kalem”, vargjet që e vërtetojnë origjinën Hyjnore të frymëzimit, si dhe domosdoshmërinë e dijes. Ata gjithashtu e përmendin përsosmërinë morale të Pejgamberit s.a.v.s., në dyzet vitet e para të jetës së tij:
Nûn. Betohem për penën dhe për atë që shkruajnë se ti (o Muhammed), falë mirësisë së Zotit tënd, nuk je i marrë. Pa dyshim, ti do të jesh përherë i shpërblyer se ti je me virtyte madhore. Së shpejti ti do ta shohësh, por edhe ata do ta shohin, se cilin prej jush e ka prekur marrëzia. [Kur’an, 68: 1-6] Kjo kaptinë shpesh llogaritet e dyta në shpalljen kronologjike të Kur’anit.
Nûn është një nga shkronjat e alfabetit arab. Ngjashëm si kjo, disa shkronja të tjera qëndrojnë në fillim të disa kaptinave kur’anore. Asnjë komentues – madje as vet Pejgamberi s.a.v.s. – nuk ishin në gjendje ta tregojnë saktësisht kuptimin e tyre dhe çfarë simbolizon paraqitja e tyre në fillim të kaptinave. Kështu që betohet në “Kalemin” dhe e vërteton domosdoshmërinë e dijes që u jepet krijesave njerëzore, Krijuesi e nis me shkronjën misterioze, Nûn, duke e theksuar kufizimin e mendjes njerëzore.
Në secilën prej këtyre shpalljeve fillestare, All-llahu ia paraqet Veten të Dërguarit të Tij si “Krijuesi yt” (Rabbuk) ose Edukatori, i cili e zgjodhi, e ushqeu dhe më pas e thirri për ta transmetuar shpalljen e fundit të Tij. Nuk ishte pa domethënie të thellë që Muhammedi, s.a.v.s., të jetë jetim dhe i varfër dhe se duhej të kalonte një periudhë reflektimi, megjithëse në ato momente shqetësimi dhe ankthi mbizotëronte mbi ndërgjegjësimin për zgjedhjen për misionin e marrë.
Autor: Tarik Ramadan
Përktheu: Lutfi Muaremi