Në kohën e sotme digjitale, ballafaqohemi me një paradoks shumë nivelesh: edhe pse dritaret me përmbajtje fetare në internet janë përplot, shpirtrat e shumë besimtarëve mbeten bosh. Kjo dukuri është shumë e theksuar, dhe shoqëritë muslimane janë të mbingarkuara nga ligjëratat fetare – video incizime apo porosi të ndryshme në rrjetet sociale.
Pjesa dërmuese e atyre përmbajtjeve nuk nënkupton edhe ekzistimin e kënaqësisë së vërtetë njohëse dhe shpirtërore apo të jetuarit autentik fetar. Prandaj, edhe në këtë kontekst çështja e rëndësisë së institucionit kundrejt individit merr një kuptim të veçantë dhe të rëndësishëm.
Xhamitë, qendrat islame, medresetë dhe fakultetet tradicionalisht kanë shërbyer si bazament i organizimit të jetës fetare dhe identitetit të shoqërisë islame. Kjo bëri që institucionet fetare, ta krijojnë ambientin ku tubohen muslimanët për faljen e namazit, leximit të Kur’anit dhe sunnetit, këmbimit të njohurive dhe mbështetjen e njëri-tjetrit. Por, edhe krahas rëndësisë, gjithnjë e më tepër njerëzit u drejtohen ndikuesve (influencerëve) fetar në internet në kërkim të inspirimit shpirtëror, edukimit dhe udhëzimit.
Ndikuesit e tillë ofrojnë alternativë tërheqëse. Të qënit të menjëhershëm, të qasur dhe mundësia që të arrijnë masa të gjëra njerëzish anembanë botës i bën tërheqës për shumë njerëz që ndihen të distancuar nga institucionet fetare tradicionale.
Pyetja kryesore që lind është: Pse kaq shumë njerëz tërhiqen nga profile të tilla të ndikuesve në internet, dhe pse e humbasin besimin tek institucionet fetare? Një nga përgjigjet qëndron në faktin e mënyrës bashkëkohore të jetesës. Njerëzit shpesh janë të ngarkuar me shpejtësinë dhe përpiqen për kënaqësi të menjëhershme dhe i drejtohen qasjes individuale në kuptimin e fesë dhe jetës fetare. Ndikuesit e internetit e përshtatin përmbajtjen e tyre me atë mentalitet, duke ofruar mesazhe të shkurtra dhe frymëzuese që janë të lehta për t’u konsumuar dhe për t’u ndarë.
Shumë të rinj anembanë botës mendojnë se institucionet nuk u përshtatën me sfidat dhe nevojat bashkëkohore dhe se nuk ofrojnë hapësirë të mjaftueshme për pjesëmarrjen dhe shprehjen e tyre aktive. Kjo mund të rezultojë në një ndjenjë largësie dhe shkëputje nga institucionet fetare. Gjithashtu, ndikuesit shpesh fokusohen në çështje që janë relevante dhe të afërta me të rinjtë, si identiteti, shëndeti mendor dhe drejtësia sociale.
Ndërsa ndikuesit e internetit mund të ofrojnë frymëzime të menjëhershme, institucionet kanë mundësi për zhvillim afatgjatë dhe të qëndrueshëm. Nëpërmjet aktiviteteve të tyre, institucionet e promovojnë kuptimin më të thellë të besimit, mbështetjen, mbikëqyrjen e vazhdueshme dhe integrimin e vlerave fetare në jetën e përditshme. Ato sigurojnë gjithashtu stabilitet, autoritet dhe vazhdimësi që u mungon individëve që vijnë e humben përmes internetit.
Dallimi kryesor në mes institucioneve dhe individëve është çështja e llogaridhënies. Istitucionet kanë mekanizma për llogaridhënie dhe mbikëqyrjen e veprimeve të tyre, ndërsa ndikuesit e internetit shpesh veprojnë në mënyrë të pavarur dhe nuk kanë përgjegjësi para askujt. Kjo mund të çojë në mungesë transparence, integriteti dhe autenticiteti në mesazhet e tyre.
Ndikuesit shpesh herë e përdorin popullaritetin e tyre për shitje librash, trajnime dhe produkte të tjera. Kjo mund të jetë e dobishme, nëse përdoret si mjet për ta çuar më tej edukimin dhe zhvillimin shpirtëror të audiencës së tyre. Megjithatë, është e rëndësishme që ndikuesit të mos e përdorin popullaritetin e tyre vetëm për qëllime komerciale, por për të promovuar mesazhe autentike dhe relevante që ndikojnë në rritjen shpirtërore të shoqërisë.
Gjithashtu, është e rëndësishme të pranohet se shumë besimtarë ballafaqohen me njohuri të kufizuara për fenë, sepse ata lexojnë apo merren me kërkime shumë pak. Në vend që t’i hulumtojnë dhe studiojnë në mënyrë aktive tekstet dhe traditat fetare, ata mbështeten në informacione sipërfaqësore që gjejnë në internet. Kjo sipërfaqësi shpesh herë rezulton me mungesë të kuptimit më të thellë të besimit dhe traditës, gjë që kontribuon më tej në fenomenin “raftet plot, shpirtra bosh”.
Duhet pasur parasysh edhe mungesën e edukimit elementar mediatik në mesin e muslimanëve, si dhe paaftësinë e tyre në botën digjitale. Kjo mund të rezultojë me pengesa në njohjne e informacioneve dhe qëndrimeve përkatëse, dhe formimin e ndërgjegjësimit kritik për përmbajtjen e asaj që e konsumojnë Prandaj, edhe atëherë kur muslimanët mundohen të gjejnë informacione rreth fesë, mund të hasin në sfida në filtrimin dhe vlerësimin e atyre informacioneve, gjë që e pengon akoma më tepër zhvillimin e tyre shpirtëror.
Në tekstin tim: “Pse retorika”, Ivo Shariq e thekson rëndësinë e aftësisë së shprehjes së komunikimit: “Le të mësojnë të gjithë se si ta shprehin mendimin, qëndrimin dhe interesat e tyre! Le të jenë të gjithë gojëtar të mirë që të mos kërcënohen nga folësi.” Kjo deklaratë e thekson rëndësinë e aftësisë për t’u shprehur dhe komunikuar në mënyrë që të jemi në gjendje t’i mbrojmë pikëpamjet dhe interesat tona nga ndikimi i të tjerëve. Në kohën e sotme digjitale, mund ta zgjerojmë këtë ide duke e shtuar edhe këtë: “Të gjithë të jenë ndikues të mirë që të mos kërcënohen nga ndikuesit (influencuesit)”.
Përveç kësaj, deklarata e reisul-ulemasë Husein-ef. Kavazoviq në mënyrë plotësuese i ilustron sfidat bashkëkohore me të cilat përballemi: “Popullizmi me të cilin kënaqemi nuk i respekton vlerat e fesë, familjes, popullit dhe traditës, dhe as nuk kujdeset për kujtesën historike të popullit tonë”. Nuk vlerësohen dijetarët, shkencëtarët, filozofët, ulematë. Në skenë kanë hyrë popullistët që e kënaqin masën, që u japin ujë të kripur, pas së cilës ata ndihen akoma më të etur”.
Besueshmëria dhe vazhdimësia e autoritetit institucional është me rëndësie të madhe për ruajtjen e integritetit të mësimit dhe praktikës fetare. Ndërsa individët mund të sjellin ide dhe perspektiva të reja, institucionet luajnë rol kyç në ruajtjen e traditës dhe sigurimin e qëndrueshmërisë në interpretimin e teksteve dhe praktikave fetare.
Prandaj, është me rëndësi t’i ndiqni institucionet dhe jo individët, sepse institucionet e përfaqësojnë trashëgiminë kolektive të një bashkësie fetare që është përcjellë ndër breza. Ata kanë njohuri të gjerë dhe përvojë që ndihmon në interpretimin e parimeve fetare në një mënyrë që është përkatëse për sfidat dhe nevojat bashkëkohore të shoqërisë.
Nëpërmjet respektit ndaj autoriteteve institucionale, besimtarët mund t’u shmangen kurtheve të subjektivizmit dhe interpretimeve të tyre dhe të mbështeten në burime të besueshme të mësimit dhe praktikës fetare. Kjo nuk do të thotë se individët duhet të heqin dorë plotësisht nga autonomia dhe të menduarit kritik, por se ata duhet t’i qasen fesë me respekt ndaj autoriteteve që janë të përkushtuara për t’i ruajtur themelet dhe vlerat e saj.
Shkruan: Selvir ef. Mujanović
Përkthim: Lutfi Muaremi