Kodi vehabist

Sot, gazetarët perëndimorë flasin vetëm për konfliktin “sunito-shiit”. Kjo i përshtatet shumë sauditëve pasi ata pretendojnë se i përfaqësojnë sunitët kundër rivalëve të tyre shiitë iranianë.

Të armatosur me ushtrinë e tyre lobiste, regjimi saudit e ka përkrahjen në Vashington. Deri më sot, dhjetëra kompani të marrëdhënieve me publikun gjenden në listën e pagave të qeverisë saudite, duke përfshirë grupin e fuqishëm dhe me ndikim Podesta (vëllai i themeluesit, John Podesta, ishte menaxheri i fushatës së fundit presidenciale të Hillary Clinton). Kohët e fundit, The Hill vlerësoi se Arabia Saudite shpenzon mbi 1.3 milionë dollarë në muaj për lobistët e Vashingtonit. Shpresa e tyre është ta rreshtojnë qeverinë amerikane kundër Iranit.

Udhëheqësit sunitë folën kundër vehabizmit gjatë një konference ndërkombëtare edhe në shtator të vitit 2016. Studiuesit dhe dijetarët sunitë me famë botërore u mblodhën në Grozny, Çeçeni. Në ditën e fundit të konferencës, të gjithë njëqind dijetarët islam njëzëri morën qëndrim kundër terroristëve tekfiristë vehabitë që i dënojnë dhe vrasin “jobesimtarët”, duke pretenduar se i përkasin Ehlus Sunnetit.

Kryeimami egjiptas i El-Az’harit, Ahmed el-Tajjib – figura më prestigjioze në botën sunite – në ujdi me dijetarët, deklaroi se ka “deformime të rrezikshme” të islamit sunit që çojnë në ekstremizëm dhe terrorizëm dhe se një ndryshim radikal është i nevojshëm për ta rivendosur kuptimin e vërtetë të sunizmit.

Deklarata e tyre e përshkruante qartë familjen sunite. “Ithtarët e katër shkollave (historike) – Hanefi, Maliki, Shafi’i dhe Hanbeli – dhe ndjekësit e sufizmit të pastër. Asnjë sekt tjetër nuk përfshihet në komunitetin sunit.” Mungonin veçanërisht vehabistët dhe selefët, të cilët u hodhën poshtë si novatorë.

Kjo ishte hera e parë që dijetarët islamikë sunitë e refuzuan kaq qartë vehabizmin si pjesë të familjes së madhe sunite. Pastaj, Ahmad Karima, profesor i Sheriatit në Universitetin El-Az’har deklaroi: “Nëse bota po pret me padurim ta çrrënjos terrorizmin, duhet të ngrihet kundër vehabistëve sepse ata janë burimi i të gjitha rebelimeve dhe konflikteve”.