Selefi paraqet periudhë kohore dhe jo mësim të caktuar që duhet ndjekur

Nëse thonë: “Ndjekim selefin”, u parashtrohet pyetja:

  1. A i kishin dijetarët e selefëve përgjigjet e njëjta për çështjet e Sheriatit?
  2. Nëse jo, atëherë cilin dijetarë selef ata e ndiqnin dhe përse?
  3. Nëse e zgjedhin njërin nga dijetarët e selefëve, përveç themeluesve të 4 medhhebeve (shkollave juridike islame), u bëhet pyetja: A është ruajtur i gjithë mësimi i atij dijetari (çështjet e ibadetit, muamelatit…)?
  4. Meqë nga dija e përgjithshme e selefit, dija komplete fikhore është ruajtur vetëm nga themeluesit e medhhebeve (Ebu-Hanife, Maliki, Shafii dhe Ahmed Hanbeli), atëherë si është e mundur të ndiqet selefi, ndërsa ndiqen vetëm disa mendime të selefit, kurse i largohemi dijes së kompletuar dhe mirë të sistemuar?
  5. Nëse thoni se i zgjidhni fjalimet e dijetarëve të selefit, pse mendoni se e vërteta është më e dukshme për ju sesa për ata dijetarë selef, qëndrimin e të cilëve nuk e keni zgjedhur? A jeni më të mirë se Selefët?

Si shembull i mospajtimit të dijetarëve të Selefus-Salih edhe në çështjet më të thjeshta, mund ta citojmë situatën nëse personi që gjendet në ihrame e shkatërron vezën e një pëllumbi:

“Aliu dhe Ata’i r.a., thonë: Ata do të paguajnë një dirhem për çdo dy vezë. Dhuhri, Shafiu dhe Ebu Thevri r.a., thonë: Do ta paguajnë vlerën e tij. Malikiu, r.a., thotë: Obligimi i tij është një e dhjeta e detyrimit ndaj atij që e ka sjellë.

Mendime të ndryshme rreth çështjes së vezës së një struci kishin: Omer b. el-Hattabi, Ibën Mes’udi, Ibën Abbasi, Esh-Sha’biu, Ibrahim en-Nehai, Edh-Dhuhri, Shafiu r.a., dhe të tjerët që thonë: “Detyrohet vetëm vlera e tij. Ebu Ubejde dhe Ebu Musa el-Eshariu, r.a. thonë: Detyrohet me agjërim njëditësh apo të ushquerit e një të varfëri. Hasan el-Basriu, r.a., thotë: I detyrohet i vogli i devesë. Maliku, r.a., thotë: Detyrohet me një të dhjetën e vlerës së kurbanit të madh… (dr. Nidal Ibrahim Alereshi).

Prandaj mos e fusni kokën në rërë pa menduar se çfarë ju thonë ata që nuk dinë ta zgjidhin çështjen e thjeshtë të një veze!

mr. Sami ef. Xheko