Ibn Umeri r.a. tregon se e ka parë të Dërguarin e All-llahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) të bënte me shenjë nga lindja duke thënë: “Ja, atje! Atje, pra, do të jetë fitneja (sherri, e keqja, sprova)! Ja atje do të dalë fitneja, atje ku del ana e kokës së shejtanit (ose: briri i shejtanit)!”
Gjithashtu, në hadithin e mirënjohur nga Ibën Umeri tregohet se Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “O All-llah! Bekoje Shamin tonë dhe Jemenin tonë!” Njerëzit thanë: “Edhe Nexhdin (Irakun) tonë.” Ai (a.s.) tha: “O All-llah! Bekoje Shamin tonë dhe Jemenin tonë!” Njerëzit thanë: “Edhe Nexhdin tonë.” Ai (a.s.) tha: “Atje do të shfaqen tërmetet dhe fitnet (sprovat, mundimet etj.) dhe që atje do të shfaqet briri i kokës së Shejtanit.”
Dhe të mos harrojmë ta përmendim Dhul Huvejthirin, një burrë me flokë të gjata e të shprishura, i cili erdhi tek Pejgamberi i All-llahut, s.a.v.s. duke i thënë: “O i Dërguar, ki frikë All-llahun dhe gjyko me drejtësi!” Pejgamberi, s.a.v.s. i tha: “O i mjerë! A nuk jam unë nga gjithë njerëzit në tokë që meritoj më shumë ta kem frikë All-llahun?! Vërtet, nga kjo do të shfaqen njerëz të cilët do të dalin nga besimi ashtu siç del shigjeta nga harku…” (Buhariu)
Në një transmetim tjetër, përmendet se Pejgamberi s.a.v.s. në fund shtoi: “Po të jetoja në kohën e tyre, do t’i vrisja siç u vra populli i Themudit”.”
Transmetohet nga Ebu Hurejra, r.a., se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: “Populli i Jemenit ka ardhur tek ju. Ata kanë mendjet më të rafinuara dhe zemrat më të buta. Imani është jemenas dhe urtësia është jemenase. Krenaria dhe mendjemadhësia u përkasin pronarëve të deveve, kurse qetësia dhe dinjiteti u përkasin pronarëve të deleve.” (Hadithi është sahih dhe i shënuar nga Buhariu dhe Muslimi).
Hadithi i sipërshënuar na tregon qartë se Pejgamberi s.a.v.s. refuzoi ta bekonte Nexhdin, ndërsa bëri dua dhe e bekoi Sirinë dhe Jemenin.
Në një rast, Amër ibën Abbasi (r.a.), transmeton nga Ujejna ibën Hisna el-Feraziu se ai në praninë e Pejgamberi s.a.v.s. përmendi se njerëzit më të mirë ishin nga Nexhdi. Pejgamberi s.a.v.s. tha: “Ti ke thënë një gënjeshtër! Njerëzit më të mirë janë nga Jemeni, besimi dhe imani është në Jemen dhe unë jam jemenas (nga Jemeni).” (Imam Tabarani, Imam Ahmedi me një zinxhir autentik transmetuesish, shih gjithashtu Mexhmeul Zevaid).
Parashtrohet pyetja, pse Pejgamberi s.a.v.s. kishte një mendim negativ për Nexhdin (rajon në Arabinë Saudite të sotme)?! Resulullahu (s.a.v.s.) tha: “Nga ai vend do të shfaqet briri i shejtanit”.
Fjala “karn” në arabisht do të thotë “bri” ose “shekull” ose “breza”. Në Nexhd do të shfaqen breza që do ta përhapin të keqen, të cilët do të jenë pasues të shejtanit, nga ai vend do të shfaqen sprovat dhe fitneja.
Në këtë hadith thuhet se nga Nexhdi do të shfaqet një grup shejtanësh. Ibën Haxher el-Askalani në librin e tij Fethul Barijeh, duke e shpjeguar këtë hadith ka thënë: “As’habi i cili ka thënë ‘dhe Nexhdi ynë’ është nga rajoni i Hixhazit”, dhe kjo përgënjeshtron pretendimit e disave se Nexhdi është në Irak. Dhe një dëshmi tjetër nga i njëjti hadith është se Pejgamberi s.a.v.s. doli nga shtëpia e Aishes r.a. në Medine, tregoi nga lindja dhe tha: “Nga andej do të shfaqet një grup shejtanësh” dhe në hadithin tjetër të transmetuar nga vetë Ibën Tejmijje Harrani në librin e tij Bejan Talbis el-Gahmija “një grup shejtanësh do të shfaqet nga lindja”.
Nuk ka dyshim se në lindje të Medinës është Nexhdi dhe është e pamundur të jetë Iraku. Së dyti, pse sahabët (All-llahu qoftë i kënaqur me ta), do ta lusnin All-llahun që ta bekojë perandorinë mexhusiane (adhuruesit e zjarrit), ngase Iraku në atë kohë ishte pjesë e Persisë. Të rikujtohemi, Iraku është në veri të Medinës dhe jo në lindje!
Dihet mirë se sekti vehabiist havarixh i Muhammed b. Abdulvahhabit, u shfaq në Nexhd, nuk e dimë nëse kjo është rastësi apo jo, All-llahu e di më së miri. Në çdo rast, duhet të jemi shumë të kujdesshëm kur diçka niset nga Nexhdi!
All-llahu na ruajtë nga çdo fatkeqësi, veçanërisht nga fitneja e Nexhdit dhe na i largoftë nga ne të gjitha mu’sibetet dhe sprovat. Amim!
Përshtati: Lutfi Muaremi