Ruani fëmijët tuaj nga vehabizmi

Vehabizmi si ideologji që po i indoktrinon të rinjtë dhe po i shndërron ata në ekstremist e terrorist është bërë një pandemi që po e terrorizon tërë botën, duke përfshi edhe shqiptarët. Përveç shqiptarëve nga Kosova dhe Shqipëria që përfunduan në radhët e organizatës terroriste ISIS, pati edhe të rinj shqiptar nga diaspora që u indoktrinuan nga ideologjia vehabiste dhe përfunduan si ekstremist të dhunshëm, por edhe si terrorist.

Të rinjtë e diasporës ranë viktimë e manipulimeve të thirrësve vehabist që vazhdimisht po vënë nën thumb të rinjtë tanë që shumë kush ia ka zili. Viktima të shpëlarjes së trurit nga ideologjia vehabiste, ishin edhe të rinjtë shqiptar nga diaspora që vijnë nga Evropa, Amerika e deri tek Australia e largët. Që në këto tri kontinente, kemi të dënuar shqiptar që kanë kryer sulme terroriste apo që kanë komplotuar për të kryer sulme terroriste.

Rasti i fundit ishte ai i një të riu me prejardhje shqiptare në Australi, i cili u dënua me 17 vite burgim për planifikim të sulmeve terroriste. Të gjithë bashkatdhetarët tanë duhet të kenë kujdes dhe të ruajnë fëmijët e tyre nga grabitqarët e fëlliqur vehabist që duan t’i indoktrinojnë ata. Arsimimi, edukimi dhe monitorimi i fëmijëve duhet të jetë prioritet për prindërit që e duan një ardhmëri të ndritur për fëmijët e tyre. Shqiptarët në diasporë kanë qenë gjithmonë shembull për kombësitë e tjera se si duhet integruar në shoqërinë perëndimore, dhe ky integrim, asnjëherë nuk i ka rrezikuar vlerat kombëtare dhe fetare të tyre.

Është e pandershme dhe e pandërgjegjshme, vetëm të ua mendosh të keqen vendeve dhe shoqërive që të kanë ofruar strehim, ushqim dhe punësim, e lëre më të ndërmerret ndonjë akt dhune kundrejt tyre, siç edhe po veprojnë ekstremistët. Ekstremistët po komplotojnë dhe po ndërmarrin sulme pikërisht ndaj atyre që ua zgjatën dorën e ndihmës dhe bamirësisë, kur kishin më së shumti nevojë. Kjo tregon se sa pa falënderues janë ekstremistët vehabist. Shoqëritë perëndimore u dhanë ndihmë, kurse vehabistët u japin vdekje. Kjo është mënyra se si ekstremistët po ua kthejnë të mirën ndihmëtarëve të tyre. Shqiptarët gjithmonë kanë pas besë dhe kanë bërë çmos për mikun.

E ata që i prenë miqtë në besë, ata nuk mund të kenë as fe. Andaj porosia e jonë për bashkatdhetarët tanë që jetojnë në diasporë, është: ruani fëmijët tuaj nga radikalizmi dhe grabitqarët vehabist që duan t’i indoktrinojnë të rinjtë tanë. Respektoni vendin, shoqërinë dhe besimin e atyre që u ndihmuan, dhe ruani vlerat tona të mirëfillta kombëtare e fetare. Vehabistët kafshojnë dorën që e ushqen, por ne nuk jemi të tillë sepse nuk kemi jetuar nëpër shpella e shkretëtira, por kemi jetuar në tokën e lashtë arbërore, jemi një komb i shquar pë vlera të larta, besë dhe fisnikëri. Kombi shqiptar nuk ka as kurrë nuk do të ketë asgjë me të pamoralshmen, të pandershmen, dhunën e tradhtinë. Jemi shqiptar dhe jemi krenar për kombin, historinë, kulturën dhe traditën që e kemi.

Autor: Bekim JASHARI