Muhammedi [s.a.v.s.] – njeriu i vetëm në historinë njerëzore të cilit armiku ia besonte paratë dhe gjërat me vlerë

Autor: Shejh Ali el-Tantavi

Në jetëshkrimin e të Dërguarit të All-llahut [s.a.v.s.], ekziston historia të cilën me siguri e kemi lexuar apo dëgjuar me qindra herë, por të cilës nuk i kemi kushtuar kujdes të mjaftueshëm, e kjo histori është e lidhur me Hixhrën (emigrimin). Domethënë, kur me urdhrin e All-llahut, i Dërguari duhej të emigronte nga Meka në Medine, ai e la hazreti Aliun r.a. në Mekë që t’ua kthente idhujtarëve gjërat të cilat i ishin besuar në ruajtje.

Po, mirë e lexuat, hazreti Aliu mbeti t’ua kthejë idhujtarëve paratë dhe gjërat e tjera me vlerë të cilat idhujtarët ia kishin besuar në ruajtje të Dërguarit të All-llahut [s.a.v.s.].

Parashtrohet pyetja si është e mundshme që mushrikët e fisit Kurejsh t’ia besojnë gjërat me vlerë Muhammedit [s.a.v.s.], ndërsa në ato momente marrëdhëniet e tyre ishin në nivelin më të ulët?!

Atëkohë, në mes Muhammedit [s.a.v.s.] dhe fisit Kurejsh zotëronte armiqësi e ashpër saqë nuk mund t’ia gjejmë shembullin në historinë njerëzore. Muhammedi [s.a.v.s.] e mohonte fenë dhe zotët e tyre dhe i thirrtë që ta evitojnë paganizmin dhe idhujtarinë të cilët i trashëguan nga paraardhësit e tyre; ndërsa ata e ofendonin atë në mënyra të ndryshme, sulme fizike dhe abuzime ndaj tij, familjes dhe as’habëve; duke i detyruar të emigronin në Abesini dhe më vonë në Medine, duke i bojkotuar muslimanët që të jetojnë të izoluar në pronën e axhës së Muhamedit [s.a.v.s.], Ebu Talibit.

Si ndodhi që idhujtarët t’ia besojnë paratë dhe gjërat e tjera me vlerë Muhammedit [s.a.v.s.], dhe si i ruajti ato?!

A është e mundur dhe a ekziston ndonjë rast tjetër në historinë njerëzore kur palët kundërshtare dhe konfliktuale, t’ia besojnë palës tjetër gjërat më me vlerë të cilat nuk do të dëshironin t’i humbin apo dështojnë?

A ekziston ndonjë njeri në historinë e mbarë njerëzimit që kishte cilësi dhe virtyte të tilla? Njeri i cili mbeti i nderuar, i drejtë dhe i besueshëm si në paqe ashtu edhe në luftë, në urrejtje e dashuri, dhe tregon ndershmëri e besueshmëri ndaj pjesëtarëve të palës armike si dhe ndaj ndjekësve dhe shokëve të tij?!

Njeriu, tek i cili korrektësia dhe amaneti janë mbi emocionet dhe përfitimi personal, ndershmëria është virtyt të cilin e pranojnë të afërmit dhe të largëtit, miqtë dhe armiqtë! Ai rast dëshmon se Muhammedi [s.a.v.s.] është i Dërguar i All-llahut, i cili me shembullin personal në moral ishte rast unik në historinë njerëzore, dhe që përmes Shpalljes së fundit paraqet njeriun më të madh dhe më të zgjedhur ndër të mëdhenjtë e historisë njerëzore.

Përshtati: Lutfi Muaremi

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s