14 shekuj më parë, nën dritën e plotë të historisë, në Mekë lindi njeriu me karakter të jashtëzakonshëm, bashkëshorti i vëmendshëm, babai i butë, tregtari i suksesshëm, lideri ushtarak, burrë shteti, politikani, njeriu që ende jeton në zemrat e një të pestës së banorëve të planetit tonë.
Ai ishte njeriu i parë në historinë njerëzore që u emërtua – Muhammed. Emri i tij do të thotë i Lavdëruari. Ai u zgjodh për një mision unik që kërkonte një personalitet me cilësi vërtet të jashtëzakonshme. Ishte një mision për të dhënë një mesazh Hyjnor universal për të gjithë njerëzimin, një mesazh që nuk kufizohej për një kohë të caktuar ose një popull specifik dhe që i përfshinte të gjitha fushat e jetës njerëzore, nga besimi dhe morali deri tek ekonomia dhe politika.
Filantropi dhe humanizëm në vepër
Në kohën e dallimeve të mëdha klasore, thuajse të papajtueshme, ai kishte një detyrë të vështirë përpara – t’i mësonte njerëzit të ishin vëllezër dhe të mos ndaheshin sipas origjinës apo ngjyrës së lëkurës. Ai u dërgoi një mesazh të gjithëve: “Vërtet All-llahu nuk shikon trupat dhe fytyrat tuaja, por shikon zemrat tuaja”.
Historia na mëson se ai vlerësohej njëlloj, si nga miqtë ashtu edhe nga armiqtë për shkak të tipareve të tij të jashtëzakonshme njerëzore, ndershmërisë, fisnikërisë dhe besueshmërisë. Të gjithë ata që e takuan u kënaqën nga thjeshtësia dhe përzemërsia e tij.
Ai ishte i sjellshëm me njerëzit, edhe kur ata e fyenin. I këshilloi ithtarët e tij që të jenë të butë ndaj të tjerëve, duke thënë: “Butësia nuk prek një gjë pa e zbukuruar atë, dhe ashpërsia nuk prek një gjë pa e prishur atë”.
Ai dënonte dhunën në familje, i inkurajoi gratë t’i shprehnin mendimet e tyre dhe ua garantoi të drejtën e pronës, të drejtën për t’i refuzuar martesat e rregulluara në emër të tyre pa lejen e tyre, dhe të drejtën për të kërkuar divorc në raste specifike. Ai i këshilloi ndjekësit e tij: “Martohuni me ata që i doni dhe kur vullneti i All-llahut t’ju bashkojë, atëherë jetoni në dashuri dhe harmoni. Ju keni të drejtë tek gratë tuaja, por dhe ato kanë të drejta tek ju. Trajtojini gratë me mirësi dhe me shumë dashamirësi.”
Meqë edhe vet ishte rritur jetim, ndaj jetimëve ishte veçanërisht i dhembshur, ndërsa të moshuarve dhe të pafuqishmëve përpiqej t’ua mbronte sa më shumë të drejtat e tyre.
Ai kurrë nuk e ktheu të keqen me të keqe dhe e potencoi madhështinë e faljes dhe ndikimin e saj në shpirtrat njerëzorë. Ai bujarisht i fali banorët të Mekës për të gjitha vitet e përndjekjes dhe të gjitha të këqijat që ia kishin bërë, duke e ditur se me falje do t’i fitonte zemrat e tyre ndërsa me hakmarrje do të fitonte vetëm armiq. Ai përfitoi më shumë zemra me veprimet e tij sesa në betejat ushtarake.
Shembull për të gjitha kohët
Pavarësisht se ishte i Dërguar, Muhammedi, paqja qoftë mbi të, kurrë nuk pushoi së qeni njeri, me të gjitha nevojat, dëshirat, shpresat dhe frikat e tij. Ky dimension i tij njerëzor është arsyeja pse ishte i dashur dhe i ndjerë nga brezat e besimtarëve gjatë shekujve të kaluar dhe që ata identifikoheshin lehtësisht me të. Megjithëse ai jetoi më shumë se 1400 vjet më parë, mesazhet e tij janë universale dhe gjithmonë të zbatueshme, dhe njerëzimi ende përballet me të njëjtat probleme kundër të cilave ai luftoi. Jeta e tij është një nga pikat e ndritshme në historinë njerëzore që ndriçon rrugën për ata që do të vijnë, dhe veprat e tij tregojnë se çfarë mund të bëjë një shpirt fisnik për të mirën e gjinisë njerëzore.
Përshati: Lutfi Muaremi