Përmes profetësisë së Muhammedit, paqja qoftë mbi të, rrodhën burimet e mëshirës

Autor: Muhammed el-Gazali

Mëshira me të cilën lidhet profetësia e Muhammedit, paqja dhe mëshira e All-llahut qofshin mbi të, dhe mesazhi që iu shpall atij, manifestohet në mënyrën e sjelljes që All-llahu xh.sh. e vendosi mes njerëzve. Përkatësisht, jobarazia mes njerëzve është e dukshme, edhe pse të gjithë janë njerëz që nga Ademi dhe Havaja. Dallimet e tyre në aftësitë e lindura dhe pozitat shoqërore, statuset dhe mundësitë i nënshtrohen një prove shumë të vështirë dhe për këtë All-llahu i Madhëruar ka thënë: “…Ne i kemi bërë disa prej jush të jenë sprovë për të tjerët. A do të jeni të durueshëm ju? Zoti yt i sheh të gjitha.” [EL-FURKÂN, 20] Ekzistojnë të pasurit dhe të varfërit, të diturit dhe të paditurit, të fortët dhe të dobëtit, krenarët dhe të këqijtë, fisnikët dhe enigmatikët, të zinjtë dhe të bardhët etj.

Islami që në fillimin e shpalljes e vërtetoi se nuk ekziston qenie njerëzore që nuk do të vihet në sprovë në varësi të mundësive dhe rrethanave. Ndërsa dëshira e tij për përparim dhe ngritje ose dëshira për stagnim dhe rënie e përcaktojnë fatin e tij.

Parimi Islam është: “…Çdo njeri është peng i veprave të veta.” [ET-TÛR, 21], kështu që disponimi me pronë, dhe jo vetë prona, është ajo që e përcakton të ardhmen e njeriut, apo qëndrimi ndaj shkencës, dhe jo vetë shkenca, ajo që përcakton pozitën e tij.

Kjo nënkupton se të pasurit duhet t’i ndihmojnë të varfërit, ose do të vuajnë, apo dijetari ta ndriçojë injorantin, përndryshe do të humbas dhe shkatërrohet. Kush ua mohon njerëzve dhuntinë e inteligjencës dhe pasurisë që ia dhuroi All-llahu i Madhëruar, ai do të bjerë nga niveli i devotshmërisë dhe ajo që ka fituar në këtë botë nga pasuria dhe prestigji nuk do t’i bëjnë dobi.

Në anën tjetër, ai duhet të përpiqet për mirësi dhe plotësimin e kujdesit të plotë, pa ligësi dhe mëri, sepse: “Nuk është prej nesh ai që nuk i respekton të moshuarit dhe nuk është i mëshirshëm ndaj të rinjve tanë dhe që nuk i njeh të drejtat e dijetarëve tanë.” [Tirmidhiu]

Sipas logjikës Islame, njerëzit janë degët e të njëjtit trung, ndërsa esenca e marrëdhënies mes tyre është të njihen dhe bashkëpunojnë. Jeta në këtë dynja është test dhe provim, ndërsa ai provim i ka kërkesat, manifestimet dhe kushtet e veta. Islami, gjatë këtij provimi i përkujton njerëzit në domosdoshmërinë e empatisë mes tyre dhe luftimin e ngurtësisë së zemrës.

A nuk e ke dëgjuar ndodhinë e prostitutës e cila i dha ujë qenit të etur? Pra, çfarë mendon për mëshirën e atij që është mëshirues dhe ua zbut mundimet dhe dhimbjet njerëzve?!

Islami e lejoi luftën vetëm se atëherë kur të jetë e dobishme për njerëzimin. Lufta është e dënueshme dhe paraqet krim kur përfaqëson agresion ndaj të dobëtit, kur kërcënon të drejtat e tyre dhe kur e errëson të vërtetën apo përpiqet ta shuajë dritën e saj.

Ndërsa kur lufta bëhet me qëllim të shtypjes së tiranisë, mizorisë dhe pengimit të tiranëve dhe zullumqarëve, atëherë ajo është mbështetje dhe ndihmë për të shtypurit dhe disiplinim i tiranëve.

Kur’ani i paralajmëron të ligët dhe injorantët se All-llahu i dërgoi të dërguarit si mëshirë, ashtu siç thuhet në ajetet: “Hâ, Mîm. Betohem në Librin e qartë! Në të vërtetë, Ne e kemi shpallur Kur’anin në gjuhën arabe, për ta kuptuar ju, e ai është te Ne, në Librin kryesor (Leuhi-mahfûdh), i lartësuar dhe plot urtësi. A ta tërheqim Përkujtimin (Kur’anin) prej jush ngaqë jeni popull i shfrenuar? Eh, sa profetë u dërguam Ne breznive të mëparshme. [EZ-ZUHRUF, 1-6]

Njerëzit përpiqen të bëhen arrogantë dhe të lartësohen mbi të tjerët, prandaj Islami e ndaloi ngritjen e të bardhëve mbi të zinjtë, të fortit mbi të dobëtin ose të moshuarit mbi të rinjtë dhe e ndërtoi qytetërimin e tij mbi parimin se përparësia në këtë botë është vetëm në devotshmëri dhe dëshirë për të bërë mirë.

Mesazhi i të Dërguarit të All-llahut, salallahu alejhi ue sel-lem, bëri që të rrjedhin burime të mëshirës në mes njerëzve përmes parimeve mbi të cilat janë bazuar mësimet që i mbolli në zemrat e njerëzve.

Përshtati: Lutfi Muaremi

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s