Muhammedi s.a.v.s. burimi i pashtershëm i mirësisë dhe urtësisë

Personaliteti i të Dërguarit të fundit, Muhammedit salallahu alejhi ue sel-lem, është burim i pashtershëm i mirësisë dhe urtësisë për çdo kohë dhe për çdo gjeneratë.

Duhet shfrytëzuar çdo rast dhe mundësi që ta ta përkujtojmë veten tonë rreth domethënies dhe madhështisë së rolit të Muhammedit salallahu alejhi ue sel-lem, në të gjitha sferat e veprimit njerëzor. Përmes këtij punimi të shkurtër do të mundohemi që të përgjigjemi në pyetjen themelore: pse e duam Muhammedin salallahu alejhi ue sel-lem, dhe në cilën mënyrë duhet ta shprehim dashurinë ndaj tij?!

Përkujtimi i Muhammedit salallahu alejhi ue sel-lem, nuk i ngjason përkujtimit të kujtdo vdekatari. Atë duhet kujtuar me shumë kujdes, dashuri, respekt dhe maturi, dhe pandërprerë duhet ndjekur sunnetin e tij. Hapi i parë në jetë për arritjen e dashurisë ndaj dikujt është, njohja e tij sa më e mirë. Vetëm atëherë thellë në shpirt mund t’i përgjigjemi vetes si mund ta duam dikë. Mandej vijon realizimi i asaj dashurie metodologjike-praktike, me fjalë të tjera përmbushja e cila manifestohet në mënyra të ndryshme. Në këtë rast, që ta argumentojmë përse e dashurojmë Muhammedin salallahu alejhi ue sel-lem, do të bëjmë një përshkrim të shkurtë të rolit të Resulullahut dhe misionit të tij.

Pse e duam Muhammedin salallahu alejhi ue sel-lem?!

Shkaku që ne jemi Ummeti i Muhammedit salallahu alejhi ue sel-lem, jemi më të mirët e të gjithë Ummeteve, ngase ai ia kushtoi jetën e tij të gjithë ithtarëve të tij. Kur Muhammedi salallahu alejhi ue sel-lem e kërkoi dashurinë ndaj tij, e kërkoi për ta shprehur dashurinë ndaj Pejgamberisë e cila iu shpall dhe e përshkoi jetën e panjollë morale të tij. Kështu ai na tregoi rrugën drejtë All-llahut të Madhërishëm. Islami nuk kërkon dashuri abstrakte dhe verbale, por dashuri të konkretizuar me bamirësi, si arsye për lumturinë në jetën e përjetshme.

Krijuesi jonë në lidhje me rolin e Pejgamberit më të zgjedhur thotë:

1. “O Profet! Ne të kemi dërguar ty si dëshmitar, sjellës të lajmit të mirë dhe paralajmërues; njëkohësisht (të kemi çuar) si thirrës, që i fton njerëzit në rrugën e All-llahut me urdhrin e Tij dhe si pishtar ndriçues. Jepu lajmin e mirë besimtarëve se All-llahu ka (përgatitur) për ata dhunti të madhe.” (El-Ahzâb, 45-47) Nga ajeti i mësipërm konstatojmë se Muhammedi salallahu alejhi ue sel-lem, paraqet një pishtar ndriçues për shpëtimin e trupit dhe shpirtit.

2. “Thuaju (o Muhamed): “Nëse ju e doni All-llahun, atëherë më ndiqni mua, që All-llahu do t’ju dojë dhe t’jua falë gjynahet! All-llahu është Falës i Madh dhe Mëshirëplotë.” (Ali Imran, 31) Këtu Fjalët Hyjnore na mësojnë se nuk mund të duhet All-llahu nëse nuk duhet i Dërguari i Tij dhe se sunneti është rruga e istigfarit.

3. “Ndërsa përgjigjja e vetme e besimtarëve, kur thirren tek All-llahu dhe i Dërguari i Tij, që ai të gjykojë midis tyre, është: “Dëgjojmë dhe bindemi”. Pikërisht këta janë të shpëtuarit.” (Nur, 51) Mund të përfundojmë se çelësi i suksesit si në këtë dynja ashtu edhe në ahiret është nënshtrimi ndaj Kur’anit dhe Sunnetit. Çdo veprim sipas tekeve është rrugë e shejtanit që të shpie në Xhehennem.

Cilësitë e Muhamedit janë të panumërta, por për shkak të përkujtimit ne do të numërojmë disa:

1. All-llahu i Madhëruar, për Muhammedin salallahu alejhi ue sel-lem dhe Ummetin e tij, e bëri tokën të pastër dhe të përshtatshme për kryerjen e namazit;
2. Është dhuruar me një të folur koncize me të cilën fascinonte zemrat e masave të gjëra;
3. I është lejuar preja e luftës;
4. Muhammedi salallahu alejhi ue sel-lem, është i Dërguar i fundit dhe Vula e Pejgamberëve;
5. I është dhënë e drejta e shefa’atit – ndërmjetësimit në Ditën e Gjykimit;
6. Muhammedi salallahu alejhi ue sel-lem, është imam i të gjithë pejgamberëve;
7. E përjetoi Mi’raxhin – ngritjen në sfera të larta.
8. I pari i cili do të hyjë në Xhennet, dhe më pas të gjithë Pejgamberët nën flamurin e tij;

Muhammedi salallahu alejhi ue sel-lem, ishte i dërguar, përgëzues, qortues, besnik dhe këshilltarë i sigurtë, bashkëshort, prind, gjysh, fqinj, burrështeti, udhëheqës ushtarak, luftëtarë në rrugë të Zotit për mirëqenien e të gjithëve, tregtar, mbrojtës i dobëtëve në veçanti të jetimëve, kishte sjellje dhe moral më të bukur…

Ta duash Muhammedin salallahu alejhi ue sel-lem, paraqet vepër shumë të dashur tek All-llahu. Çdo besimtarë dhe besimtare duhet ta hapin zemrën ashtu që drita e dashurisë ndaj Muhammedit salallahu alejhi ue sel-lem, ndrit shpirtin dhe mendjen. Muslimani është i kënaqur të dëshmojë me të gjithë qenien se dashurinë e vete do ta mbështes me praktikimin e sunnetit të tij.

“Kush ringjall sunnetin tim – ai më do, kush më do mua- do të jetë me mua në Xhennet.” Nga ky hadith shohim se çdokush i cili në këtë jetë merr shembull të Dërguarin salallahu alejhi ue sel-lem, duke jetuar jetën në përputhje me sunnetin, nënkuptohet se do ta njoh sunnetin dhe atëherë të njëjtin përpikërisht do ta praktikoj në jetën e tij.

Në mënyrë që t’i përgjigjemi në mënyrë të plotë kësaj çështje, do të thirremi në përkushtimet e gojëdhënave të cilat e dëshmojnë dashurinë e as’habëve ndaj Muhammedit salallahu alejhi ue sel-lem. Enes Ibën Maliku, transmeton se një njeri e ka pyetur kur do të ndodh Dita e Gjykimit? I Dërguari e pyeti: “Çfarë ke përgatitur për ditën e Gjykimit?” Ai është përgjigjur: “Nuk kam përgatitur shumë namaze, agjërime, dhe sadaka, por e dua All-llahun dhe të Dërguarin e Tij.” Muhammedi alejhis-selam iu përgjigj: “Ti do të jesh me ata që i do.” (Buhariu, Muslimi dhe Taberani)

Në një rast politeistët e robëruan Zejdin dhe e dënuan atë me vdekje. Udhëheqësi i idhujtarëve Ebu Sufjani i tha: “A do të doje që tani të ishe në shtëpi, e në vendin tënd të ishte Muhammedi alejhis-selam dhe ta ekzekutojmë atë në vend teje.” Zejdi u është përgjigjur: “Betohem në emrin e All-llahut që nuk do të doja as një therë ta shqetësojë atë, dhe kurrë nuk do të doja të isha në mesin e shtëpiakëve, ndërsa ai këtu.” Kur i dëgjoi Ebu Sufjani këto fjalë tha: “Nuk kam parë asnjë njeri ta duan njerëzit, ashtu siç e duan Muhammedin alejhis-selam shokët e tij.”

Freskoje shpirtin me salavate

Një nga dëshmitë e dashurisë sonë ndaj të Dërguarit të All-llahut, është dërgimi i salavateve, ngase kur dashuron dikë, ai e përmend. Salavatet të cilët i themi për të Dërguarin e All-llahut, salallahu alejhi ue sel-lem, janë vetëm një shenjë e vogël e kujdesit dhe dashurisë sonë që e tregojmë ndaj tij. “Mbillni tre cilësi në edukimin e fëmijëve tuaj: ta duan Pejgamberin, familjen e tij dhe ta mësojnë leximin e Kur’anit.” Siç shihet, dashuria ndaj Pejgamberit është themeli i edukimit të fëmijëve tanë. Salavatet për të Dërguarin salallahu alejhi ue sel-lem, dhe familjen e tij janë hapat e para në jetën fëmijërore. Ndërsa me mësimin e Kur’anit, tek fëmijët ndërtojmë botëkuptim të bazuar në vlera e vërteta.

ALLAHUMME SAL-LI ALA MUHAMMEDIN UE ‘ALA ALI MUHAMMED!

Salavatet ia dërgojmë në rrethana të ndryshme. Sa dimë rreth vlerës së salavateve?! All-llahu i Madhëruar thotë: “Vërtet, All-llahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt e Tij luten për atë. O besimtarë, lutuni për atë dhe përshëndeteni me “selam”! (El Ahzab, 56) Urdhri i vetëm i cili erdhi nga ana e All-llahut të Madhëruar, në realizimin e së cilës merr pjesë, është leximi i salavateve për të Dërguarin e Vet.

Muhammedi salallahu alejhi ue sel-lem, na inkurajon ne si pasues të tij ta shpeshtojmë leximin e salavateve: “Kush sjell një salavat për mua, All-llahu i sjell dhjetë për të; kush i sjell dhjetë salavate për mua, All-llahu i sjell njëqind për të; kush i sjell njëqind salavate për mua, All-llahu do ta mbrojë nga zjarri i hipokrizisë dhe në Ditën e Gjykimit do ta vendos me shehidët.” (Taberani)

Bazuar në këtë, ne mund të përfundojmë se brenda një dite ne duhet së pakti të lexojmë një salavat. Mesatarisht, mirë do të ishte të dërgojmë njëqind salavate, ndërsa më e mira njëmijë salavate, ngase Resulullahu salallahu alejhi ue sel-lem, na porosit: “Kush dërgon njëmijë salavate në ditë për mua, nuk do të vdes deri sa ta shoh vendin e tij në Xhennet.”

Koprrac i madh është ai që nuk dërgon salavate kur përmendet emri i të Dërguarit, ngase hadithi është i qartë: “Në prezencën e të cilit përmendem unë dhe ky me qëllim nuk sjell salavate, ka devijuar nga rruga e Xhennetit.” (Taberani)

Në historinë njerëzore, me ardhjen e Muhammedit salallahu alejhi ue sel-lem, All-llahu krejtësisht plotësoi porosinë e Tij. Sheriati, Ligji i All-llahut, përfundon me këtë Pejgamber, ndërsa njerëzia fitoi fenë universale.

Megjithatë, humbës dhe fatkeq është ai që refuzon ta ndjek të Dërguarin salallahu alejhi ue sel-lem, ashtu siç përmendet në hadith: “I gjithë ummeti im do të hyjë në Xhennet, përpos atyre që refuzojnë. E kush është ai që refuzon o i Dërguar i All-llahut?! Ai është përgjigjur: “Kush më ndjek – do të hyjë në Xhennet, kush është i padëgjueshëm – më refuzon.”

Rreth rëndësisë së ndjekjes së Muhammedit salallahu alejhi ue sel-lem, le të na shërbej ky shembull: druri që ka vetëm trungun dhe degët e zhveshura, pa gjethe dhe fryte, nuk e tregon bukurinë e vete. Islami i ngjason drurit me shtatëdhjetë e dy degë. Trungu është Kelimei-Shehadeti, degët e mëdha janë 33 kushtet e dinit Islam, degët më të vogla janë sunnetet (e përditshme që ka vepruar Profeti), gjethet janë mustehabet (gjërat e porositura si të bukura) dhe frytet janë mendubet (veprimet më të vogla të lëvduara nga i Dërguari salallahu alejhi ue sel-lem).

Në fund të këtij përkujtimi e lusim All-llahun e Madhërishëm të na frymëzojë me dashuri ndaj Muhammedit salallahu alejhi ue sel-lem, që ta ndjekim me besnikëri ashtu që të mund bashkë me të ta kalojmë pragun e Xhennetit.

ALA RESULINA SALAVAT: ALLAHUMME SAL-LI ALA MUHAMMEDIN VE ALA ALI MUHAMMED.

Përshtati: Lutfi Muaremi

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s