Përgojimi (gibeti) është sëmundje e rëndë

Të flasësh rreth kësaj çështje, do të thotë të flasësh për sëmundjen akute të Ummetit, sëmundjen shkatërruese të indeve tona, sëmundjen që është rritur në nivel epidemiologjik, sëmundje që kërkon trajtim urgjent ndërsa kura për të gjendet në Kur’an, hadith dhe në praktikën e paraardhësve tanë.

All-llahu i Madhërishëm në kaptinën El-Huxhurat, ajeti i 12 thotë:

“…dhe mos e përgojoni njëri-tjetrin! Mos vallë dëshiron ndokush prej jush të hajë mishin e vëllait të vet të vdekur?! Sigurisht që ju do ta urrenit këtë! Kijeni frikë All-llahun! Me të vërtetë, All-llahu është Pranues i pendimit dhe Mëshirëplotë.”

All-llahu i Madhërishëm e ndalon përgojimin dhe atë e krahason me ngrënien e mishit të vëllait të vdekur, gjë të cilën Kur’ani e konsideron vepër të urryer. Është e paimagjinueshme ta kesh para vetes vëllain e vdekur dhe ta hash mishin e tij, ndaj si guxojmë ta përgojojmë njëri-tjetrin?! Sa herë që dy ose më shumë muslimanë e përgojojnë dikë, le t’i kenë parasysh këto fjalë dhe le të heqin dorë menjëherë nga përgojimi, le të pendohen me pendim të sinqertë, me vendim se nuk do ta përsërisin mëkatin e njëjtë!

Transmeton Ebu Hurejre, radijallahu anhu, se i Dërguari i All-llahut, salallahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “A e dini se çfarë është gibeti? Kanë thënë: All-llahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më së miri. Ka thënë: Përmendja e vëllait tënd me atë që ai e urren.” Të pranishmit kanë pyetur: çfarë thua për atë që e them siç është  vëllai im? Nëse e përmend me atë që e ka, e përgojuar, e nëse nuk e ka, ke shpifur për të.” (Muslimi)

Salavati dhe selami qofshin mbi imamin e të dërguarve, selami qoftë mbi mësuesin tonë, i cili përmes këtij hadithi na mëson çfarë është gibeti, ndaj nëse jemi ithtarët e tij të sinqertë dhe nëse pohojmë se sinqerisht e duam dhe e ndjekim, për hir të tonin dhe të tjerëve, duhet ta evitojmë përgojimin.

Aisheja, All-llahu qoftë i kënaqur me të, i ka thënë të Dërguarit të All-llahut, salallahu alejhi ue sel-lem, për Safijen që është e shkurtë. I Dërguari i All-llahut, salallahu alejhi ue sel-lem i ka thënë: e ke thënë një fjalë që po të hidhej në det, do ta turbullonte.”

Në kohën e të Dërguarit të All-llahut, salallahu alejhi ue sel-lem, ndihej me shqisën e nuhatjes, siç thuhet në transmetimin e mëposhtëm të transmetuar nga Xhabir Ibën Abdullahu, All-llahu qoftë i kënaqur me të, se gjatë një rasti nuhati një erë të keqe, ndaj i Dërguari i All-llahut salallahu alejhi ue sel-lem, ka thënë: “Kjo erë e keqe është nga gibeti i atyre që i përgojojnë mu’minët.”

Ndoshta dikush prej nesh mund të pyes: “Si është ndjerë era e keqe e gibetit në kohën e Pejgamberit, salallahu alejhi ue sel-lem, ndërsa sot jo?!”. Përgjigja do të ishte e thjeshtë: Sepse sot ka aq shumë shpifje e përgojime, dhe na janë mbushur hundët me erën e keqe të saj, ndaj nuk jemi në gjendje ta njohim atë dhe kur dikush është vazhdimisht në një mjedis me erë të keqe, ai nuk e ndjen atë, por e konsideron atë gjendje normale!

Ibrahim Ibën Ed’hemi gjatë një rasti gostiti do mysafirë. Ndërsa e vendoste ushqimin për të ngrënë, ata filluan të flasin për dikë, ndaj u tha: “Ata që ishin para jush, fillimisht hanin bukë, mandej mish, ndërsa ju filluat me mish!”

Sipas kësaj, pak prej nesh mund të ankohen se për shkak të pensionit të vogël, pagës së parregullt dhe të ardhurave të pakta, nuk konsumojmë mish, sepse në shtëpitë e shumicës prej vëllezërve dhe motrave tona, ka mish në sasi të pakufizuar!

Ebu Umame el-Bahili ka thënë: “Në Ditën e Gjykimit njeriut do t’i sillet libri i veprave të tij ku do të shohë vepra të mira të cilat nuk i ky kryer, dhe do ta pyes All-llahun: “O Zot, nga janë këto vepra të mira?! All-llahu do t’i përgjigjet: “Kjo është ajo për të cilën njerëzit të përgojonin, ndërsa ti nuk e dije.”

Transmetohet nga Hatim Ez-Zahidi: “Kur në një tubim (ndeje) gjenden tri vepra, dijeni se mëshira e All-llahut është ngritur nga ai tubim:

1. Kur bëhet fjalë për jetën e kësaj bote,
2. Kur njerëzit qeshin shumë dhe
3. Kur i përgojojnë ata që nuk janë të pranishëm.”

Jahja Ibën Muadh Er-Raziu këshillon: “Për të qenë prej të virtytshmëve, nderoje besimtarin me tri gjëra: 1. Nëse nuk do t’i bësh ndonjë dobi, mos e dëmto, 2. Nëse nuk do ta lumturosh, mos e trishto, dhe 3. Nëse nuk e lavdëron, mos e qorto!”

Hasan El-Basri i dërgoi një enë plot me fruta njeriut që e përgojonte dhe e porositi: “Dëgjoj se përgojon për mua, në këtë mënyrë m’i jep të mirat e tua dhe m’i merr të këqijat. Meqë nuk mund t’ua kthej në mënyrë tjetër, ua dërgoj këtë hedije modeste në shenjë mirënjohjeje për bujarinë tuaj!”

Pra, a ka ndonjë prej nesh që është gati me vetëdije për shkak të përgojimit të vëllait t’i fshijë veprat e mira dhe mbi supet e tij t’i ngarkon mëkatet e huaja?!

Mu’min i vërtetë është ai që i arsyeton veprimet e shëmtuara të vëllait të tij, dhe thotë: “O Zot, mund të ketë ndonjë justifikim që nuk e di ndërsa Ti e di, prandaj ki mëshirë për vëllanë tim besimtar! O Zot, unë do ta fsheh turpin e vëllait tim dhe nuk do të flas për të, ndërsa Ti fshihe turpin tim në Ditën e Gjykimit!”

Le të jemi vëllezër të vërtetë në Islam, të mos e përgojojmë njëri-tjetrin, më saktë, të mos e hamë mishin e njëri-tjetrit! Le ta ruajmë gjuhën tonë nga të folurit e shëmtuar, sepse ky është parakusht për pastërtinë e zemrave tona dhe imanin tonë!


Përktheu: Lutfi Muaremi

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s