SHKAQET E PËRPARIMIT TË MUSLIMANËVE NË TË KALUARËN

Shkaqet e përparimit të Muslimanëve kryesisht i përshkruhen dinit Islam, i cili u riparaqit në Gadishullin arab dhe të cilin e pranuan fiset arabe dhe mandej punuan sipas intencave të tij, e braktisën përçarjen – e pranuan bashkimin; e braktisën mosbesimin ndërsa e pranuan civilizimin; e braktisën ashpërsinë – e pranuan merhametin (mëshirën); hoqën dorë nga adhurimi i idhujve, iu përkushtuan adhurimit të Zotit të Vetëm, All-llahut, dhe krejtësisht u rilindën ashtu që erdhën deri në fuqi, famë, dije dhe pasuri, ndaj fituan gjysmën e rruzullit tokësor për gjysmë shekulli. Sikur të mos lindte mosmarrëveshja kah fundi i Hilafetit Osman dhe gjatë kohës së Hilafetit të hz. Aliut, do ta fitonin gjithë botën dhe askush nuk do mundej t’u kundërshtohet. Edhe krahas mosmarrëveshjeve ndërmjet Aliut dhe Muaviut, Omejjit dhe Ibën Zubejrit, sukseset ngadhënjimtare të muslimanëve të cilat i korrën për gjysmë apo në realitet dy të tretat e shekullit, i shtangoi mendimtarët historian dhe i fascinoi pushtuesit e mëdhenj, ndërsa e habitën edhe më të madhin ndër ta, Napoleon Bonapartën, i cili e pranoi këtë në mënyrë kategorike.

Domethënë, Kur’ani i rilindi arabët dhe i nxori nga gadishulli i tyre me shpatën në njërën dhe Kur’anin (dijen) në dorën tjetër.

Nuk mund të merret parasysh ajo që u përshkruhet arabëve para islamit kur theksohen pushtimet e tyre dhe kur vlerësohet morali i tyre i lartë qysh në kohërat idhujtare. Ajo ekzistonte dhe gjurmët e saj shihen edhe sot, ndaj nuk ka dyshim në kulturën e vjetër arabe e cila u takon kulturave më të vjetra në botë. Madje thuhet që, shkrim-leximi ka filluar së pari tek ata. Megjithatë, rrethi i asaj kulture ka qenë i kufizuar vetëm në Gadishullin Arab dhe fqinjësi, ndërsa ka pasur edhe kohëra të tilla kur me ta kanë sunduar dhe i kanë nënshtruar dhe të tjerët, siç kanë qenë Persianët në Jemen, Ummân dhe Hirë, Abesinët gjithashtu në Jemen dhe Romakët në periferi të Hixhazit dhe Siri. Mirëpo, në realitet, ata asnjëherë nuk kanë pasur autonomi të vërtetë deri sa e pranuan Islamin, deri në atë kohë askush nuk i njihte, e as që u nënshtrohej, as që flisnin për forcën e tyre, dhe Muhammedi, paqja dhe mëshira e All-llahut qoftë mbi të, është ai i cili i futi në histori dhe i solli në radhën e parë të ngadhënjimtarëve.

Ndaj, duhet kërkuar dhe shqyrtuar shkakun si përparuan, çliruan, ndërtuan dhe e mbërritën famën dhe përparimin, dhe atij hulumtimi duhet t’i kushtojmë mjaftë kujdes, që të bindemi se a ekziston ai shembull edhe më tutje tek arabët, deri sa ata në ndërmjet kohë vazhdojnë të mbeten prapa, ndërsa me ta dhe nxënësit e tyre, muslimanët tjerë; apo përkundrazi, ndoshta më nuk ekziston ai shembull, ndërsa nga feja nuk ka mbetur asgjë përpos emrit, nga islami asgjë përpos gjurmëve, nga Kur’ani kurrgjë përpos mësimeve dhe mos sjelljes sipas tij dhe gjëra tjera të cilat ekzistonin në fillim të Islamit.

Kur këtë fakt ta shqyrtojmë mirë e mirë, padyshim do të shohim se më nuk ekziston shembulli me të cilin përparuan muslimanët, ndaj edhe sikur të ketë mbetur diçka, ato u ngjajnë tatuazheve në lëkurë. Sikur All-llahu t’u premtonte muslimanëve famë vetëm nga shkaku i emrave të tyre pa asnjëfarë veprimi, do të kishim të drejtë të themi: “Ku është fama e muslimanëve e cila është përmendur në ajetin: “…Ndërsa e tërë krenaria i takon All-llahut, të dërguarit të Tij dhe besimtarëve…?” – Sikur Zoti të thoshte: “E kemi obligim ndihmën e Muslimanëve”, në këtë drejtim do t’u ndihmohet pa asnjëfarë aftësie, veç se të pohojnë që janë muslimanë, atëherë nuk do të kishte vend për habi, nga shkaku se në këtë rast All-llahu do t’i lente pa ndihmën e premtuar.

Mirëpo, ajetet kur’anore janë tjetërsosh, nga shkaku se All-llahu nuk e thyen premtimin dhe Kur’ani nuk është ndryshuar, por ndryshimi qëndron te vet muslimanët, gjë për të cilën All-llahu na e tërhoqi vërejtjen me fjalët: “All-llahu nuk e prish gjendjen e një populli për deri sa ata ta ndryshojnë veten e tyre…” Meqë muslimanët kanë ndryshuar, do të ishte çudi në qoftë se All-llahu nuk ua ndërronte atë që kishin, të mos u jepte mizëri dhe nënçmim në vend të krenarisë dhe madhështisë; kjo do të ishte e kundërt me drejtësinë Hyjnore, ndërsa All-llahu është vetë Drejtësia.

Si mund të mendosh se All-llahu do ta ndihmojë një popull pa vepra dhe do ta dhuroj me ni’mete (dhunti) me të cilat i dhuroi paraardhësit e tij kur ai popull i ka braktisur ata veprime të cilat i bënin, ndërsa vetëm All-llahu është i Gjithëmundshëm dhe vetëm Ai bën atë që është me Urtësi. Si mund të paramendohet famë pa shkak (punë), korrje pa mbjellje, sukses pa punë dhe ndihmë pa asnjë meritë për të?!

Me siguri që kjo do ta shtynte botën në dembeli, do ta shtynte që ta braktis çdo veprim, dhe kjo do të ishte e kundërt me ligjet natyrore të cilat i vuri All-llahu dhe më nuk do të kishte dallim në mes realitetit dhe mashtrimit, dëmit dhe dobisë, ndërsa All-llahu është larg nga kjo.

Sikur All-llahu ta ndihmonte dikë pa punë, me siguri që do ta ndihmonte të Dërguarin e vet, Muhammedin, paqja dhe mëshira e All-llahut qoftë mbi të, dhe nuk do ta bënte të nevojshme që ai të lufton dhe t’u nënshtrohet ligjeve natyrore për arritjen e qëllimit.

Paramendoje një popull i cili ka njëqind obligime ndaj All-llahut, ndërsa ai i kryen vetëm pesë nga to, a mund të thuhet që ai i kryen obligimet e tija dhe a mund të pres ndonjë farë shpërblimi siç fitonin paraardhësit e tyre, të cilët nga njëqind obligime, kryenin së paku 90 apo 80?! Jo. Kjo do të kundërshtohej me logjikën e shëndoshë dhe nuk është ky ai kusht të cilin ua caktoi All-llahu Muslimanëve, nuk është kjo ajo tregti e cila potencohet në Kur’an. All-llahu thotë: “All-llahu bleu prej besimtarëve shpirtrat dhe pasurinë e tyre me Xhennet. Luftojnë në rrugën e All-llahut, mbysin dhe mbyten. (All-llahu dha) Premtim të cilin e vërtetoi në Tevrat, Inxhil e Kur’an. E kush është më zbatues i sigurt i premtimit të vet se All-llahu? Pra, gëzoju tregtisë që bëtë me Të. Ky është sukses i madh.”

Ku është gjendja e muslimanëve të sotëm krahasuar me këtë ajet kur’anor, apo ku mund të krahasohen me paraardhësit e tyre të cilët shpejtonin në vdekje, të vdesin si shehidë?! Ata shkonin drejtë vdekjes, por nuk mundnin ta gjenin. Kalorësi i tillë i vërsulej armikut duke bërtitur: “Unë e ndjejë errën e Xhennetit!”, ndaj gjithmonë vërsulej dhe depërtonte edhe në vendet më kritike në fushëbetejë, deri sa nuk vdiste. Atëherë thoshte: “Kjo është ditë gëzimi!” Ndërsa sikur të mos e arrinte qëllimin që të vdes në fushëbetejë, kthehej i pikëlluar.

Autor: Emir Shekib Arsllan
Përshtati: Lutfi Muaremi

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s