Autor: Amar Bašić
Çdo kohë në mënyrë të veçantë paraqet barë dhe bart me vete sfida të ndryshme. Nganjëherë përditshmërinë tonë e pranojmë si të vetmen të mundur, duke harruar se në fakt na është dhënë si mundësi për t’i zbuluar potencialet tona të shumta. Thënë në mënyrë figurative, shumë pak njerëz e konsiderojnë rënien, dështimin apo zhgënjimin si një fuqi shtytëse apo “erë në shpinë”. Për shumicën, ai moment paraqet një ose më shumë hapa prapa. Kjo është vetëm një nga sfidat me të cilat përballemi. Dhe jo se kjo sfidë nuk ekzistonte më parë, por gjatë procesit të globalizimit dhe “internetizimit”, ne filluam t’i konsiderojmë shumë fenomene të jetës vetëm nga koha jonë. Në atë kuptim, jo se për fenë nuk është debatuar më parë, por për shkak të rrethanave në të cilat jetojmë, ne mund ta njohim mirë diskursin modern fetar mjaft mirë (kjo është paksa e diskutueshme).
Nën sulmin e “internetizimit” të theksuar jetësor e me këtë edhe të çështjeve fetare, u shfaq fenomeni tek shumë njerëz të cilët flasin dhe ua mësojnë fenë të tjerëve. Nëse duam ta vlerësojmë vlerën dhe përfitimin e një pedagogu në shoqëri, ne duhet të ndjekim vetëm një kriter: në cilin drejtim ai mësues / ligjërues i shpie nxënësit dhe dëgjuesit e tij. Sa për fillim, sukses i madh është nëse nuk bëhet ndonjë dëm. Nuk ka rëndësi se sa interes ngjallë biseda e dikujt në fillim, por ajo që ka rëndësi është ku shpie ajo bisedë!
Pejgamberi, salallahu alejhi ue sel-lem, vepron me njerëz, ua ndryshon zemrat, i edukon gjeneratat ngadhënjyese, i pajton ata që janë grindur, dhe kulmon me rastin kur mbi 100.000 ithtarë marrin frymë si një shpirt!
Sigurisht që ligjëruesit e sotëm nuk janë si Pejgamberi, salallahu alejhi ue sel-lem, por meqë i ndjekin hapat e tij, duhet t’i ngjasojnë dhe veprojnë sikur ai, alejhis-selam. Kjo nuk ka të bëjë me titujt, diplomat, paraqitjen, por vetëm me sinqeritetin, ndershmërinë dhe njohuritë që zbatohen në jetë.
Që ta kuptojmë seriozitetin e problemit, do ta theksojë shembullin e një njeriu që ma shprehu një nga pjesët e dhimbshme të jetës së tij. Domethënë, ai më shpjegoi se nëna e tij po qanë së fundmi, sepse ai dhe vëllai i tij nuk flasin me njëri -tjetrin, dhe kjo ngase sepse ky i fundit e ndaloi vëllain e tij të vinte në shtëpinë e tij për të ndenjur, sepse e “mësoi” hadithin e Pejgamberit, salallahu alejhi ue sel-lem, në të cilën thuhet se “kunati në shtëpi është si vdekja”. Hadithi natyrisht që është i besueshëm, por plotësisht i keqinterpretuar. Kjo është arsyeja që ta përsërisim mesazhin: nuk ka rëndësi sa interesante ose “e besueshme” është tregimi i dikujt, por me rëndësi është ajo se në çfarë drejtimi shpie ai tregim. Sfida e kohës sonë është ta vërejmë me kohë rrugën dhe drejtimin që po e ndjek treni i caktuar.
Sfidë e kohës sonë paraqet numri i madh i atyre që e konstatojnë problemin, por nuk ofrojnë zgjidhje. Në fakt, shumica mund të ofrojnë ndonjë zgjidhje verbale, por ata nuk e zbatojnë atë nga një mikro-nivel si një shenjë, si për Allahun ashtu edhe për njerëzit, se ata janë të sinqertë në konstatimin e problemit dhe zgjidhjen e tij. Halifi i drejtë, hazreti Omeri gjatë një rasti ka thënë: “E keqja nuk ngadhënjehet duke folur për të keqen, por duke bërë mirësi të cilat do ta mposhtin atë të keqe.”
Me siguri keni takuar xhematli që ankohen nga këshilltarët e xhematit, por të një njëjtit kanë refuzuar të jenë në listën e këshilltarëve gjatë zgjedhjes; keni dëgjuar që ata do të vepronin ndryshe, por kur iu tha: “urdhëroni”, thanë “jo faleminderit”; keni takuar kolegë që janë më të zëshëm kundrejt eprorëve, por kur pyeten si do të vepronin ata, vetëm heshtin… Konstatimi i problemit, pa zgjidhjen e tij, nuk paraqet metodë veprimi të Pejgamberit tonë të dashur, alejhis-selam!
Ai na porositi: “Kush beson në All-llahun dhe Ditën e gjykimit, le të flasë mirë ose le të heshtë!” Hadithi në mënyrë të prerë e thekson besimin në qëndrimin para All-llahut, i cili nënkupton të flasim mirë dhe krahas kësaj të mos bien ndesh fjalët me veprat tona. Prandaj, nëse e vëren që nuk je është i gatshëm ta bartësh këtë porosi të Pejgamberit alejhis-selam, më mirë të heshtësh, se sa të merresh me kritika të kota dhe fjalë boshe sa për të treguar kinse brengosesh për gjendjen e ummetit.
Sot kemi më tepër nevojë për njerëz që nuk flasin për Islamin çfarë nuk është, por kemi nevojë për të atillë, përmes veprave të të cilëve, më shumë se fjalët e tyre, do të tregojnë çfarë është Islami. Sepse, kur ne e kërkojmë përgjigjen e pyetjes, sa është “një plus një”, mund të ofrojmë zgjidhje të panumërta të pasakta, por vetëm një përgjigje është e saktë! Këtë zgjidhje “të saktë” duhet muslimanët t’ia prezantojnë botës. Të gjithë duhet ta promovojmë këtë, dhe nëse do t’i tregonim botës se sa e madhe është feja jonë, nuk ekzistojnë aq ‘larës truri’ dhe ‘mercenarë’ të cilët do të mundnin ta turbullojnë pamjen reale të Islamit.
Duke e lexuar jetëshkrimin e Muhammedit, s.a.v.s., do të shohim që të menduarit proaktiv dhe jo reaktiv dominon në jetën e tij. Sfidë për besimtarin e sotëm është të jetojë në mënyrë të vendosur duke ndjekur parimet e Islamit në jetën e përditshme, ta bëjë atë mënyrë jetese – atë që ofrohet si një paradigmë, ajo që kërkohet para së gjithash – ndaj të cilëve reagojmë më së shumti, të vijnë vetë dhe të thonë: ky është një udhëtim vërtet frymëzues!
Për këtë qëllim, ata që i mësojnë të tjerët, duhet ta dinë se në cilin drejtim po lëvizin, ndërsa ata të cilëve ju flitet, duhet të kuptojnë, jo vetëm të dëgjojnë, dhe pastaj të gjithë së bashku: të gjejmë zgjidhje dhe jo vetëm të konstatojmë.
Përktheu: Lutfi Muaremi