Cila është Urtësia e  mospranimit të duasë: Tre shkaqe përse nuk ju pranohen duatë!

Duaja është simbol i imanit, shpresës dhe optimizmit, ajo është lidhja në mes robit dhe Krijuesit dhe mundësia e largimit të problemeve apo përmirësimit të gjendjes.

Ne jemi njerëz, qenie të nxituara, të cilat shpesh heqin dorë nga duaja nëse ajo nuk ‘përmbushet së shpejti’, ose kur na duket se duaja nuk do të pranohet, ose shejtani na bën me vesvese të mendojmë, “Kush jam unë që Allahu të më jep diçka? Për mua nuk ka shpëtim!”

Në raste të këtilla, personi i cili heq dorë nga duaja është humbës i vërtetë, ndërsa shejtani ngadhënjyes. Shejtani nuk ka asgjë më të dashur se sa të shkakton dyshime dhe dëshpërim në shpirtin njerëzor, kështu që njeriu fillon ta humb shpresën në mëshirën e Allahut të Madhëruar.

Megjithatë, mungesa e përgjigjes së duave, nuk është gjithmonë shenjë se Allahu nuk ju do, apo se problemet tona nuk kanë fund. E vërteta është krejtësisht e kundërt.

Shpesh ndodh që vonimi i përmbushjes së duasë të jetë vetëm se shenjë e kujdesit të Allahut për ne. Le ta pyesim veten, ku do të ishim sot nëse Allahu i Madhëruar do t’i ishte përgjigjur secilës lutje tonë?! Ku do të ishim po qe se Ai do t’i ishte përgjigjur lutjeve që i themi në zemërim apo me ndjenja të lënduara?!

Gjithashtu, Kur’ani na mëson se shpesh herë ne mendojmë për diçka se është e mirë për ne, apo diçka është shumë e keqe, sepse ne i shikojmë vetëm pasojat aktuale, dhe nuk mendojmë e s’mund ta dimë çfarë mund të ndodhë më vonë, në ardhmëri.

Sa herë ka ndodhur që Allahu i Madhëruar të na përmbush atë që kërkuam, dhe pas kësaj ne u penduam dhe e qortuam veten?!

Nga ana tjetër, sa herë gjendemi në situatë që na duket e keqe, ndërsa përmes saj bëhemi më të fortë, kthehemi tek Allahu, përfitojmë në mënyra të ndryshme?! Ajo dhimbje kalimtare, ishte shkaku i një të mire shumë më të madhe.

Do t’ua përmendi rastin tim, si një njeri i cili kaloi një periudhë sëmundjeje të rëndë. Nga njëra anë, sëmundja vodhi diçka nga bota, por falë saj, u ktheva tek Allahu, e lusja sinqerisht dhe mësova që nuk jam vetëm. Kështu, dhimbja bëhet ngadhënjim dhe ti nga një dështues në sytë e njerëzve, bëhesh dikush që ka vlerë më të madhe se prangat e kësaj bote.

Akoma e pyes veten, ku do të isha sikur të mos ishte ajo sëmundje?
A do të kthehesha tek Allahu ndonjëherë?
A do kryeja sot namazin, a do ta agjëroja Ramazanin, a do të lexoja Kur’an?
A do të isha sot ai që jam nëse nuk do të ishin sprovat për të cilat mendoja se ishin të këqija, ndërsa në realitet ato ishin një dhunti e madhe për mua?

Prandaj, lexues të dashur, mos e humbni shpresën nëse përgjigjja e duasë suaj nuk vjen menjëherë dhe dijeni se Allahu i Madhëruar nuk ju ka harruar dhe nuk ju urren.

Në vijim do t’i përmendim tre arsye të mundshme pse nuk përmbushen duatë tuaja:

Allahu, i Madhëruar, është Sundues: vetëm Atij i takon vendimi nëse do t’ju japë diçka apo jo, është e drejta e Tij si Krijues sepse Ai është Sundues absolut. Mospranimi i duasë duhet t’ua mësojë përulësinë dhe se gjithçka në jetë nuk ka pse të jetë “sipas tekut tonë”. Ne nuk kemi kontroll mbi gjërat e rëndësishme, prandaj duhet të mësojmë të mbështetemi në kujdesin e Allahut. Mospranimi i duasë na mëson se Allahu i Madhëruar është Mik më i madh për ne sesa ne për veten tonë. Ai me siguri nuk do të na bëjë padrejtësi, por ne ia bëjmë vetes, duke mëkatuar, duke i shkelur të drejtat e krijesave të tjera dhe duke mos i përmbushur detyrimet tona.

Urtësia e Allahut të Madhërishëm: Ndoshta shpirti juaj mund të dëshirojë diçka, dhe juve ju duket se është e mirë për ju, por Allahu i Madhërishëm i di pasojat që mund të ndodhin nëse u përmbushet ajo që dëshironi dhe se ajo që mendoni se është e mirë mund të shndërrohet në një ligësi të madhe për ju.

Shembull i kësaj janë dëshirat e të rinjve dhe të rejave që Allahu t’ua mundësojë atyre martesën me një person të caktuar për të cilin ata janë të bindur se e duan shumë dhe se vetëm me ta mund të jenë të lumtur. Por Allahu e di, dhe ne nuk e dimë nëse është mirë të jemi me dikë, çfarë mund të ndodhë me besimin apo lumturinë tonë në të ardhmen.

Prandaj, duaja juaj nuk do të përmbushet për ta ruajtur veten dhe për përfitimin tuaj. Në vend të kësaj, Allahu i Madhërishëm ju jep diçka që është shumë më mirë.

Përgjigjen e duasë ju duhet ta pritni: Imagjinoni sikur t’i merrnit të gjitha shumë dhurata përnjëherësh, kurrë nuk do të mund t’i vlerësoni apo t’i konsideroni të mira për ju. Po kështu, ndoshta Allahu i Madhërishëm ua vonon përmbushjen e dëshirës tuaj për të vazhduar lutjen ndaj Tij, duke e adhuruar më shumë dhe duke u bërë njerëz dhe besimtarë më të mirë. Në këtë mënyrë, jo vetëm që do ta arrini atë që dëshironi, por gjithashtu do ta fitoni afërsinë e Allahut, sevape të mëdha dhe lumturinë. A thua kjo nuk është më e vlefshme se ajo që keni kërkuar?!

Autor: Nedim Botić
Përktheu: Lutfi Muaremi

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s