Xhamia e Mustafa Pashës paraqet një ndër monumentet më të bukura të arkitekturës fetare islame në Shkup. Me pamjen e saj impozante, kjo xhami radhitet ndër më të bukurat në Maqedoni. Vlera arkitektonike e saj shtohet edhe për shkak të pozitës së saj të jashtëzakonshme.
E vendosur në një lartësi përballë Kalasë së Shkupit, kjo xhami e dominon tërë hapësirën rreth saj. Në muzg, silueta e saj e jashtëzakonshme, e cila paraqet perfeksionim të qetësisë dhe elegancës, e pushton çdo kalimtar. Xhamia e Mustafa Pashës është ngritur në dekadën e fundit të shekullit XV nga ana e Mustafë Pashës, një personalitet i lartë në shtetin Osman në periudhën e sulltan Bajazitit II (1481-1512) dhe Selimit (1512-1520). Në hyrje të xhamisë do ta hasni mbishkrimin i cili flet për kohën e ndërtimit të saj.
Përgatiti dhe fotografoi: Lutfi Muaremi