Rëndësia e lidhjeve farefisnore në Islam

Autor: Hfz. mr. Senaid Zajimović

Të shumtë janë shembujt nga jeta jonë e përditshme ku të afërmit e injorojnë farefisin ose nuk u përgjigjen vizitës së afërmve të tyre. Transmetohet nga Ebu Hurejra, radijAllahu anhu, “Një njeri iu ankua Pejgamberit, salAllahu alejhi ue sel-lem: ‘O i Dërguari i Allahut, unë kam të afërm për të cilët kujdesem, por ata nuk më përgjigjen, u bëj mirë atyre, por ata ma kthejnë me të keqe dhe më shpërfillin.’ Pejgamberi, salAllahu alejhi ue sel-lem, i tha atij: ‘Nëse është ashtu siç thua ti, ti je për ta si një sëmundje që i shtyp. Allahu do të të ndihmojë për sa kohë që je i tillë ndaj tyre.” (Muslim).

Është e vërtetë se ka njerëz që janë shumë të kujdesshëm në lidhje me marrëdhëniet farefisnore. Megjithatë, farefisi i tyre nuk ua rikthen me vëmendje dhe kujdes. Më shpesh raste të tilla shihen te ata që janë rikthyer në fe, ndërsa të afërmit e tyre akoma jetojnë në mënyrë të shpërfillshme. Me qëllim që në një farë mënyre t’i bojkotojnë ata, zgjidhje e kërkojnë në veprime të këqija, domethënë duke i injoruar dhe duke mos iu përgjigjur vizitës.

Meqenëse në Ahiret çdokush do të përgjigjet individualisht për veprat e tij, Pejgamberi salAllahu alejhi ue sel-lem na këshillon që të mos t’i përgjigjemi me të njëjtën mënyrë bamirësisë së pakthyer, por të veprojmë sipas rregullit Kur’anor: “Largoje të keqen me atë që është më e mira…” (El-Mu’minun, 96)

Kujdesu për atë që të refuzon

Pejgamberi, salAllahu alejhi ue sel-lem, nuk e këshilloi ashabin e tij, kur bëhet fjalë për farefisin, ta ndjek logjikën: “Ai nuk erdhi tek unë, as unë nuk do të shkoj tek ai.” Përkundrazi, për t’i mirëmbajtur lidhjet, dikush duhet ta bëjë hapin e parë. Kjo është arsyeja pse Pejgamberi salAllahu alejhi ue sel-lem, në një hadith që transmetohet nga Abdullah ibën Amr ibnul-As, thotë: “Nuk është mirëmbajtja e farefisnisë që t’u përgjigjemi vizitave, por mbajtja e lidhshmërisë farefisnore paraqet përmirësimi i marrëdhënieve të ndërprera”. (Buhariu)

Ukbe ibën Amir e pyeti Pejgamberin salAllahu alejhi ue sel-lem, “O i Dërguari i Allahut, më trego cila është vepra më e mirë?” Pejgamberin salAllahu alejhi ue sel-lem, iu përgjigj: “Ukbe, kujdesu për atë që të shpërfill, jepi atij që të ka refuzuar dhe fale atë që të ka bërë padrejtësi.”

Përmirësoni lidhjet e prishura

Domethënë, mirëmbajtësit e vërtetë të lidhjeve familjare janë ata që vendosin kontakte me të afërmit pasi ajo lidhje të jetë humbur ose prishur për ndonjë arsye.

Sa shumë raste ekzistojnë që vëllezërit nuk kontaktojnë apo nuk e vizitojnë njëri-tjetrin?! Sa shumë lidhje të prishura ekzistojnë mes prindërit dhe djalit, mes nënës dhe bijës, farefisit të afërm apo të largët?! Për fat të keq, shkaku i prishjeve të lidhjeve farefisnore janë gjëra të vogla. Kur bëhet fjalë për prishjen e marrëdhënieve mes vëllezërve, zakonisht janë në pyetje marrëdhëniet e pazgjidhura pronësore. Kur bëhet fjalë për prishje të marrëdhënieve mes të prindërve dhe fëmijëve, kryesisht në pyetje janë moskuptimet e prindërve ndaj të rinjve apo mos dëgjueshmëria e të rinjve ndaj më të vjetërve. Në kësi raste, nganjëherë kalojnë vite deri sa njerëzit të pajtohen.

Ky realitet në familjet tona na ndihmon ta kuptojmë thënien e Pejgamberit salAllahu alejhi ue sel-lem, në të cilin theksohet se në rrugën e pajtimit mes palëve mund të përdoret edhe gënjeshtra.  

Ebu Ejjubi r.a. tregon se një njeri i ka thënë Pejgamberit salAllahu alejhi ue sel-lem: “Më trego për një vepër e cila më çon në Xhenet?” Atëherë Pejgamberi salAllahu alejhi ue sel-lem, tha: “Ta adhurosh All-llahun dhe të mos i bësh shok, ta falësh namazin, ta japësh zekatin dhe ta ndihmosh farefisin.”

Në qoftë se dëshirojmë ta përcjellim pasqyrën e vërtetë të islamit dhe moralit islam, duhet të kemi kujdes ndaj të tjerëve. Pejgamberi salAllahu alejhi ue sel-lem, ka thënë: “Më i mirë prej jush është ai që u bën mirë të tjerëve.” Ai nuk tha të jemi bamirëse vetëm ndaj besimtarëve, por ndaj të gjithë njerëzve, pa marrë parasysh drejtimin që i takojnë.

Si përforcohen lidhjet farefisnore?

  • Me bamirësi dhe ndihma ndaj njëri-tjetrit (sadaka, zekati, sadekatul-fitri).

Atë çast kur objekti i ndihmës sonë materiale është një i huaj ndërsa kemi të afërm që është nevojtar, kjo është shenjë që e kemi cilësinë e atyre që i prishin lidhjet familjare. Ndërsa nëse u japim përparësi të afërmve që kanë nevojë, kjo është një shenjë se ne e kemi cilësinë e atij që kujdeset për të afërmit e tij.

  • Interesimi për gjendjen e të afërmve

Një telefonatë, një e-mail apo mesazh kur e pyesim për gjendjen shëndetësore apo materiale, interesimi në gëzim dhe pikëllim etj., i hap dyert e ndjenjës së mirë, kështu që shkruhemi në listën e atyre që kujdesen dhe i rruajnë marrëdhëniet farefisnore.

  • Falja e gabimeve dhe shpërfilljes.

Asnjë njeri nuk i do ata njerëz që njihen si dashakeq dhe ata që e regjistrojnë çdo gabim njerëzor. Por, gjithmonë të mirëseardhur janë ata që e falin padrejtësinë apo gabimet që i janë bërë atij. Kështu atyre u hapen e zemrës dhe të shtëpive.

  • Parandalimi ose largimi i telasheve që i mundojnë.

Në rast se është e rrezikuar jeta e afërmit, nëse i dëmtohet reputacioni, nëse dikush e sulmon pronën apo familjen e tij; ai që i frikësohet Allahut dhe i mirëmban marrëdhëniet farefisnore, do t’u del në mbrojtje të afërmve të tij. Duhet ta kemi parasysh se nëse pabesimtari arrinë të shkatërrojë solidaritetin tonë familjar dhe farefisor, atëherë ne i jemi ekspozuar shpërbërjes së shoqërisë sonë kompakte të bazuar në lidhjet e forta farefisnore.

  • Duaja – lutja.

Pejgamberi salAllahu alejhi ue sel-lem, ka thënë se duaja më e mirë është ajo që e bëjmë për njëri-tjetrin kur pala tjetër nuk e di. Allahu ato dua i pranon. I kujtojmë të afërmit dhe të largëtit  kur e mbarojmë namazin. E kujtojmë vëllain dhe motrën tonë në një të tretën e fundit të natës ndërsa falim namaz nate dhe kërkojmë nga i Madhërishmi që t’i udhëzojë dhe t’u dhurojë iman të fortë. E kujtojmë xhaxhain, tezen, dajën dhe të gjithë të afërmit e tjerë dhe i ndihmojmë ata duke e lutur Allahun e Madhërishëm që t’i mëshirojë dhe t’ua lehtësojë vështirësitë jetësore.

  • Buzëqeshja.

“Buzëqeshja në fytyrën e vëllait musliman është sadaka.” Sa herë që ta vizitoni ndonjë familjar ose kur ta takoni në rrugë, pyesni për shëndetin e tij dhe të familjes së tij, mos ji i zymtë dhe i zemëruar, por i butë dhe me buzëqeshje. Buzëqeshja juaj do të shkaktojë një gjendje shpirtërore dhe të mirëpritur në shpirtin e farefisit tuaj.

  • Duke e vizituar në raste të ndryshme.

Nuk ka nevojë për ndonjë arsye të veçantë për ta vizituar të afërmin tuaj. Vizita e të afërmve  është gjithmonë e mirëseardhur, veçanërisht nëse është qëllimi forcimi i marrëdhënieve ose përmirësimi i lidhjeve tashmë të prishura. Nuk është mirë t’i vizitojmë të afërmit vetëm në vdekje ose gëzim.

  • Dhënia selam

Pejgamberi, salAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Mbani dhe kujdesuni për lidhjet familjare, madje edhe me selam”.

Pasojat e ndërprerjes së lidhjeve farefisnore

  • Ndalimi i hyrjes në Xhennet për atë që i prish lidhjet farefisnore.

Transmetohet se Xhubejr ibën Mut’im ka thënë se e ka dëgjuar Pejgamberin salAllahu alejhi ue sel-lem duke thënë: “Ai që i prish lidhjet familjare, nuk do të hyjë në Xhenet” (Buhariu).

  • Ai që i prish lidhjet farefisnore do të largohet nga mëshira e Allahut.

Të jesh larg mëshirës së Allahut është fatkeqësia dhe tragjedia më e madhe që mund t’i ndodhë robit të Allahut. Allahu i Madhëruar në hadithin kudsi të lartpërmendur ka thënë: “Kush i mban dhe kujdeset për lidhjet farefisnore, Unë do të kujdesem për të dhe do ta ruaj, e kush i prish ato, Unë do ta refuzoj”. (Buhariu dhe Muslimi).

  • Nuk do të pranohen veprat e atyre që i lënë pas dore të afërmit e tyre.

Transmetohet nga Ebu Hurejre radijAllahu anhu se Pejgamberi salAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë, ‘Veprat e njeriut ekspozohen në prag të Xhumasë dhe nuk pranohen veprat e njeriut që i prish lidhjet farefisnore”. (Ahmedi)

Burimi: Saff
Përktheu: Lutfi Muaremi

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s