E pyetën njeriun e urtë: “Cili është krijimi më i fortë i Zotit?”
Ai u përgjigj: ”Ndërsa shihja hekurin, mendova se hekuri është krijimi më i fortë . Por kur pashë zjarrin që e shkrinte hekurin, mendova se zjarri ishte më i fortë.
Mandej vërejta që uji e shuante zjarrin, gjë e cila më bëri të besoj se uji është krijimi më i fortë i Zotit. Por, pashë që retë e mbartnin ujin nga një vend në një tjetër, besova se retë ishin më të forta.
Më vonë, pashë se era i transporton retë nga një vend në një tjetër, kështu besova se era është krijimi më i fortë i Zotit.
Mandej vërejta se malet nuk lëkundeshin fare nga erërat sado të forta qofshin. Kështu, i binte që malet të ishin krijimi më i fortë i Zotit.
Pastaj, pashë njeriun i cili qëndronte para maleve dhe dalëngadalë, i shponte dhe i gdhendte sipas dëshirës. Kjo më bëri të besoj se njeriu është krijesa më e fortë e Zotit. Por, pashë se ajo që e gjunjëzonte njeriun, ishte pikërisht gjumi, kështuqë besova se gjumi ishte krijimi më i fortë i Zotit.
Duke reflektuar rreth gjumit, kuptova se më i fortë se gjumi, ishte stresi dhe shqetësimet e shumta. Me vete, mendova se stresi dhe shqetësimet janë krijimi më i fortë i Zotit.
Falë reflektimit dhe studimit, kuptova se stresi dhe shqetësimet e kanë si vatër zemrën, për rrjedhojë, i binte që zemra të ishte krijesa më e fortë e Zotit.
Por, më vonë kuptova se këtë zemër, e qetësonte dhe relaksonte të përmendurit e Zotit, prandaj, krijesa më e fortë e Zotit, ishte pikërisht dhikri.
“Ata që besuan dhe u qetësohen zemrat me përmendjen e Zotit, e si të mos qetësohen zemrat me përmendjen e Zotit”
Përshtati: Lutfi Muaremi