‘Dua e mrekullueshme’, kushdo që e lexon, Allahu i Madhërishëm do t’i japë rrugëdalje nga situata në të cilën ndodhet

Një ditë, i Dërguari i Allahut, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, duke iu drejtuar as’habëve, tha:

“Pasha Atë në duart e të Cilit është shpirti im, nuk ka asnjë besimtar që e lexon këtë dua, e që Allahu të mos i japë rrugëdalje nga situata në të cilën ndodhet.”

Unë ju pyes juve, kush ishte ai që u betua?

I Dërguari i Allahut, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem. A kishte nevojë për atë betim? Jo, sepse ai është “es-sadik” (ai që e flet vetëm të vërtetën) dhe “el-masduk” (ai që i besohet, fjalimi i të cilit është konfirmuar nga Allahu i Madhëruar). Fjalimi i tij pranohet pa betime. Atëherë pse u betua? Për shkak të vlerës dhe rëndësisë së madhe të duasë, të cilën ai dëshiron t’ia mësojë ummetit të tij. Këto fjalë të Pejgamberit i drejtohen çdo njeriu në telashe dhe sprova, me qëllim që ta lidhë zemrën e tij vetëm se me Allahun e Madhëruar, dhe t’i kërkojë atij rrugëdalje nga çdo situatë.

Kjo dua e ka historinë e vete

Gjatë sundimit të Umer ibën el-Hattabit, Allahu qoftë i kënaqur me të, në xhaminë e Pejgamberit salAllahu alejhi ue sel-lem ndodhi një situatë e pazakontë. Sa’d ibn Ebi Vakas kaloi pranë Uthman ibën Affanit, Allahu qoftë i kënaqur me të, dhe i dërgoi selam, ndërsa Uthmani nuk iu përgjigj. I befasuar dhe i prekur nga gjesti i Uthmanit, Sa’di shkoi te Halifi Umer dhe iu ankua për këtë.

Umeri e thirri Uthmanin dhe e pyeti pse nuk iu përgjigj selamit. Uthmani së pari mohoi që Sa’di e i ka dërguar fare selam, dhe pastaj, pas insistimit dhe betimit të Sa’dit, kujtoi se ai i ka dërguar selam, por për shkak të preokupimit të tij me ngarkesën e tij, nuk i është përgjigjur atij.

Umeri e pyeti: “Çfarë të kishte brengosur aq shumë saqë mund t’i përgjigjeshe Sa’dit?”

“E kujtova një hadith të Pejgamberit salAllahu alejhi ue sel-lem, fundin e të cilit kurrë nuk e mësova.” – u përgjigj Uthmani, dhe vazhdoi:

“Gjatë një rasti ishim me Pejgamberin salAllahu alejhi ue selem, në një xhami kur ai na tha, “Pasha Atë në duart e të Cilit është shpirti im, nuk ka asnjë besimtar që e lexon këtë dua, e që Allahu të mos i japë rrugëdalje nga situata në të cilën ndodhet.”

Me padurim pritëm të na tregojë duanë, megjithatë në atë çast në xhami hyri një beduin i cili e pyeti për çështje të besimit. Pejgamberi salAllahu alejhi ue sel-lem e ndërpreu fjalimin e tij dhe në përgjithësi iu përkushtua beduinit. U ndamë, ndërsa nuk mësuam për duanë që e kishte fjalën Pejgamberi salAllahu alejhi ue sel-lem. Edhe sot e kësaj dite, nuk e di për çfarë duaje u betua Pejgamberi salAllahu alejhi ue sel-lem!

Umeri tha që as ai nuk kujtohet edhe pse ka qenë i pranishëm. Ndërsa Sa’di u tha: ‘Prandaj unë e di’, dhe u tregoi që asokohe e ndoqi Pejgamberin salAllahu alejhi ue sel-lem drejtë shtëpisë së tij dhe e pyeti rreth kësaj duaje:

Pejgamberi salAllahu alejhi ue sel-lem është përgjigjur: ‘Po, Sa’d. Ajo është duaja e Dhunnunit (Junusit), alejhi selam:

„La ilahe il-la ente subhaneke inni kuntu minedh-dhalimin“, “S’ka zot tjetër (të denjë për adhurim), përveç Teje! Qofsh i lavdëruar! Me të vërtetë, unë kam gabuar!” [Enbija, 87]

Mos e harroni këtë dua. Përcillni të dashurve tuaj. Pasha Allahun, unë njoh njerëz të cilëve kjo lutje ua ka hapur derën e mëshirës së Allahut dhe i ka ndihmuar t’i realizojnë dëshirat e tyre. Kjo dua u lexua nga i Dërguari i Allahut, Junus ibën Metta, ‘alejhis-selam’, duke kërkuar ndihmë nga Allahu që ta shpëtojë nga barku i një peshku të madh, i cili e gëlltiti pasi u hodh në det. Kur melekët e dëgjuan duanë e tij, thanë: “Një zë i njohur, nga një rob i njohur, nga një vend i panjohur”.

Allah i Madhërishëm, u tha:

“(Kujtoje) Dhun-Nunin (Junusin) kur iku i zemëruar e mendoi se Ne nuk do ta dënojmë, andaj thërriti nga errësira: “S’ka zot tjetër, përveç Teje! Qofsh i lavdëruar! Me të vërtetë, unë kam

gabuar!” Ne iu përgjigjëm atij dhe e shpëtuam nga brengosja. Kështu, Ne i shpëtojmë besimtarët.”  [El-Enbija, 87, 88]

Dijetarët islam thonë: “Nga fjalët ‘Ne i shpëtojmë besimtarët!”, mund të kuptohet se kjo dua nuk ka të bëjë vetëm me Junusin, alejhi selam, por me të gjithë besimtarët, ashtu siç është transmetuar në hadith: “…nuk ka asnjë besimtar që e lexon këtë dua…”

Prandaj mos hezito, në qoftë se ke ndonjë brengë, sprovë, lute Allahun e Madhërishëm me këtë dua, me zemër të sinqertë, me përkushtim, me përulje, në kohët që duaja nuk refuzohet, dhe, sipas këtij hadithi, lutja juaj do të pranohet dhe do të përmbushet. Me sytë tuaj do ta shihni mrekullinë.

Burimi: saff.ba
Përktheu: Lutfi Muaremi