“Jeta është sikur të ngasësh biçikletë. Duhet të lëvizni për ta mbajtur ekuilibrin” Albert Einstein
Çdo veprim njerëzor duhet të jetë lëvizje përpara. Nëse nuk punoni, nëse i keni të njëjta ditët dhe netët, mëngjeset dhe mbrëmjet, orët dhe minutat, është koha ta pyesni veten: Pse jetoj?!
Aktiviteti i jep kuptim dhe rëndësi çastit. Puna dhe të mësuarit nuk janë vetëm për shkak të fitimit për mbijetesë dhe sigurimit të një vendi pune, por edhe për shkak të ndjenjës së përkatësisë jetës dhe dhënies rëndësi jetës dhe vetvetes. Me siguri ndiheni të lumtur kur ju rrjedhë djersa nga balli juaj, sepse e kuptoni vlerën e jetës. Njëjtë sikur dielli që lind dhe perëndon për çdo ditë, ashtu duhet të jetë edhe lëvizja e njeriut.
Studimet në Universitetin e Çikagos zbuluan se: “Angazhimi, edhe nëse kryeni ndonjë veprim të thjeshtë që nuk kërkon përpjekje dhe lodhje të madhe, paraqet një gjë shumë pozitive dhe i zvogëlon ndjenjat e mërzisë, humorit të keq dhe druajtjes”.
Ndërsa studimet e Universitetit të Shangait vërtetuan se: “Çdo punë qoftë me pagesë apo pa pagesë, ndihmon që të ndihemi të lumtur, ndërsa ata që në vazhdimësi janë aktiv dhe merren me ndonjë punë apo aktivitet në kohë të lirë, janë më të lumtur krahasuar me ata që nuk kanë asnjë aktivitet fizik.”
Energjia që njeriu e zotëron nuk e lejon të jetë pasiv. Nëse e mbyllni një ujk në kafaz, ai vazhdimisht do të sillet rreth e përqark me bishtin e ngritur, që është një shprehje e impulsivitetit dhe aktivitetit të brendshëm.
Njeriu aktiv, edhe kur është në gjumë, nuk bie në gjumë shumë të thellë sepse energjia e tij nuk e lë atë. Mu për këtë njeriun aktiv e përshkruajnë si ujk, në kuptimin pozitiv dhe të lavdërueshëm, ndërsa e kundërta e tij është të qenët një mishngrënës i bardhë, një zog grabitqar sikur skifteri, të cilët nuk e kapin prenë e tij, por kënaqen të hanë kërma.
Nuk ka masë më të mirë të vlerës njerëzore sesa aktiviteti dhe puna e tij. Allahu i Madhërishëm na ka dhënë mundësinë e punës, veprimit dhe aktivitetit, domethënë na dhuroi mundësinë që vazhdimisht të përparojmë dhe të jemi akoma më të mirë përmes punës dhe veprimtarisë.
Puna dhe veprimtaria, njeriun e mbron nga: mërzia, poshtërimi dhe nevoja. Kur puna paraqet kënaqësi, atëherë edhe jeta është e lumtur, ndërsa nëse paraqet detyrim, bëhet skllavëri.
Prandaj, çdo punë bëje sikur të ishte e fundit. Sa më shumë që punoni, aq më shumë jetoni.
Dikush tha: “Unë besoj në lumturi dhe e kam vërejtur se sa më shumë punoj, lumturia ime po rritet”.
Konkurrenca e vërtetë është midis asaj që e bëni dhe asaj që jeni të aftë ta bëni, në të vërtetë kjo paraqet garë me veten tuaj.
Akëcili punon do t’i shohë rezultatet, gjumashi do të shohë ëndrra. Dhe ajo që është me rëndësi te puna dhe aktiviteti, ato janë një mundësi që ta zbulojmë veten tonë.
Autor: Selman el-Aude
Përshtati: Lutfi Muaremi