Papritur ndodhi që në prag të këtij Ramazani, të kemi më tepër kohë për përgatitje krahasuar me vitet e kaluara. Kemi më tepër kohë dhe jemi në mundësi që të lexojmë më tepër literaturë të ndryshme, të reflektojmë apo lexojmë Kur’an.
Natyrisht që është mirë të agjërohet dhe në këtë muaj, të agjërojë nafile gjithkush ka mundësi. Kështu këto aktivitete do ta shpijnë në Ramazan në mënyrën më të mirë të mundshme, ta mirëpresim këtë muaj të dashur dhe të bereqetshëm, të frymëzuar dhe të mbushur me ngrohtësi.
Mendoj që ky Ramazan, të cilin e presim pas pak ditëve, do të jetë më ndryshe. Nuk do t’i kemi tubimet për mukabele dhe namaz të teravisë, në mënyrën që jemi mësuar dhe të cilat i nënkuptonim. Por, tani mësuam një leksion, asgjë nuk nënkuptohet dhe jam e sigurt se kjo gjendje shumicën prej nesh do t’i pikëlloj.
Ndërsa, ne në fokus duhet ta kemi veten dhe gjendjen tonë. Gjendjen tonë para Allahut të madhëruar, gjendjen tonë kundrejt njerëzve që na rrethojnë, si sillemi ndaj mirësive të Allahut me të cilat jemi rrethuar ndërsa nuk kemi qenë falënderues si duhet. Nuk e vlerësojmë natyrën, ujin, ajrin, pyjet, livadhet, zogjtë, bletët…pothuaj gati asgjë. Rrëmbejmë gjithçka sikur nuk do të largohemi kurrë nga kjo botë, sikur askush nuk do të vijë pas nesh dhe disi gjithçka na mungon dhe të jemi të pangopur…
Jam e mendimit se kjo situatë të cilën e kalojmë në prag të Ramazanit dhe mënyrën se si e presim muajin e agjërimit, është një mirësi dhe një leksion i madh të cilin duhet mësuar.
Ramazani është rast ta vërejmë brendinë tonë, të vetmohemi dhe të reflektojmë, ashtu siç na ka mësuar i Dërguari i Allahut salAllahu alejhi ue sel-lem.
Me siguri nuk do të ketë iftare të mëdhenj nëpër restorante, iftare të cilat më e kanë humbur sensin dhe kuptimin; dhe do të jemi “të detyruar” që më shumë kohë të kalojmë në ibadet.
Në të vërtetë i gëzohem këtij Ramazani.
Ekziston një mirësi e madhe në reflektim. Mirësi e cila na detyron “të aterojmë” dhe pak më seriozisht të mendojmë rreth ekzistencës sonë. Le t’i shfrytëzojmë këto ditë që i kemi para nesh në mënyrën më të mirë të mundur, sepse ndoshta asnjëherë më nuk do të përsëriten.
Le të mos jemi të pikëlluar, të mos jetojmë në të kaluarën! Por, të jemi të vetëdijshëm për çastin aktual dhe le t’i kthehemi ardhmërisë e të mundohemi të jemi njerëz më të mirë nga ajo që ishte deri dje.
Ramadan kerim mubarak olsun.
Adisa Tufo
Përshtatja dhe fotografıa: Lutfi Muaremi