Mund të themi që, ushqimi që konsumoni në mënyrë të tërthortë bëhet pjesë e trupit tuaj.
Nëse ushqeheni me ushqim të shëndetshëm, ekzistojnë mundësi të shumta që të jeni të shëndoshë, nëse i përjashtojmë faktorët e tjerë të cilët ndikojnë në shëndetin tuaj. Por, nëse konsumoni helme në cilën do qoftë formë dhe shije, atëherë duhet pyetur veten çfarë do të ndodhë me shëndetin tuaj në të ardhmen? Këtu nuk ka asnjë farë misticizmi, matematike apo filozofie, kjo është logjika e pastër e jetës, logjika e shkakut dhe pasojës.
Mendimet që kultivoni bëhen pjesë e trupit tuaj. Pyetni veten çfarë mendoni rreth vetes, çfarë mendoni për të tjerët. A janë ato mendime pozitive apo negative? Më konkretisht, cilat mendime dominojnë në trurin tuaj, ngase çdo njeri ka çaste të ndritshme dhe errëta, çdo njeri kalon periudha kur gjithçka i shkon për dore, por edhe periudha kur dëshiron që të mos ishte lindur fare. Gjithë ky është një gamë e jetës, për shembull kur ta shikoni një fotografi, aty dominojnë tone të ndritshme ose të errëta, varësisht cilat i ka vendosur piktori aty.
Ju jeni piktori i jetës suaj. Ju caktoni çfarë tone do të ketë në jetën tuaj, cilat ngjyra do të jenë më të rëndësishme. A do të jenë ato tone paqësore dhe harmonike, apo e kundërta? Ju caktoni ku do të përqendrohen mendimet tuaja, do të jetë ajo një oazë jetësore apo një kënetë plotë me kalbësira. Ju keni zgjedhjen të ushqeheni me mendime pozitive apo negative të cilat do ta shkretojnë trupin tuaj.
Mendimet që kultivoni bëheni pjesë e trupit tuaj. Jo menjëherë, por në periudhën e ardhshme. Çdo mëngjes zgjohuni me këtë mendim. Çdo mëngjes thoni vetes se çfarë keni vendosur rreth të ardhmes suaj. Çdo mëngjes shikoni duart tuaja dhe kuptoni se para vetes keni disa mundësi ndaj mos u ankoni nga të tjerët. Mos u mërzitni nëse nuk keni sukses menjëherë, ndoshta kërkon kohë, kërkon aftësi deri në përkryerje dhe gjithsesi kërkon sakrificë të madhe dhe vetëmohimin, por në fund jep rezultate të shkëlqyera.
Këtu vetëm do të shtojmë se mbështetja në caktimin e Allahut bëhet pasi që të kemi dhënë mundin tonë maksimal psikofizik. Kënaqësia me caktimin e Allahut është porta më e madhe e Allahut, portë e cila të çon drejtë mëshirës dhe kënaqësisë së Tij, dhe nëpërmjet të cilës muslimani arrin grada të larta tek Allahu i Madhëruar.
E lusim Allahun të na bëjë prej atyre që kënaqen me Të dhe Allahu të jetë i kënaqur me ne.
Përshtati: Lutfi Muaremi